Këshilla nga dr.Valbona Sina- Naka - Si parandalohet kanceri i qafës së mitrës? (VIDEO)

Gratë rreth moshës 40 vjeçare janë më të rrezikuarat nga kanceri i qafës së mitrës.

 

Kështu pohon Valbona Sina- Naka, kryeshefe në albulancën specialistike në Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK.

PAP Testi është ekzaminimi mikroskopik i qelizave të marra nga qafa e mitrës dhe/ose vagina për të parë ndryshimet e tyre (parakanceroze, kanceroze).

Sina- Naka ka treguar se PAP Testi është një test i thjeshtë, i shpejtë dhe pa dhimbje dhe për të nuk ka nevojë për ilaç qetësues.

“Secila grua duhet të dijë se çka është kanceri i qafës së mitrës, ky kancer është mjaft i shpeshtë dhe i dyti vjen pas kancerit të gjirit dhe për të parandaluar kancerin e mitrës duhet prej moshës 21 vjeçare rregullisht ta bëjë PAP Testin”

“Prej momentit që gruaja ka filluar jetën aktive seksuale, prej moshës 21 vjeçare ajo duhet ta bëjë pap-testin edhe nëse fillon jetën seksuale edhe më herët dhe nëse për tri vjet rezultatet janë të mira, nga mjeku gjinekolog rekomandohet që të përsëritet testi çdo tri vjet dhe, nga mosha 21 deri në 65 duhet të bëhet PAP Testi, pas moshës 65 vjeçare, nuk ka nevojë”

Sina- Naka ka thënë që rezultati në Laborator vonohet dy deri në tri javë.

“Nëse pas kryerjes së testit, qelizat në qafën e mitrës janë anormale, atëherë gruas i rekomandohet të bëhet kolposkopia, e cila e zmadhon për 60 herë vendin ku bëhet analiza, i marrim qelizat anormale dhe i dërgojmë për analiza të mëtutjeshme në Citologji për analiza të mëtutjeshme për të ardhur deri te diagnoza dhe ne i largojmë ato qeliza në mënyrë që të mos vijmë deri të kanceri i qafës së mitrës”

Grave nuk iu rekomandohet që të bëjnë PAP Testin, kur kryejnë marrëdhënie seksuale dy ditë përpara.

Gjithashtu nuk duhet të kenë pastrime vaginale dy ditë përpara testit dhe nuk preferohet të bëhet testi gjatë ciklit menstrual.

“Shenjat që shqetësojnë gratë janë: Gjakderdhja vaginale (pas marrëdhënieve seksuale, në midis të ciklit ose në menopauzë) Sekrecionet vaginale të shtuara, me erë të rëndë që mund të jenë ujore ose me gjak, dhimbje shpine e simptoma të tjera”, ka shpjeguar gjinekologia Sina- Naka.

Ky test kryhet në institucionet shëndetësore publike dhe është falas dhe në institucionet e shëndetit publik.

Sipas doktoreshës 400 deri në 500 gra kryejnë PAP Testin në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës brenda muajit.

Shkaktarët më të shpeshtë të kancerit në qafën e mitrës janë: jeta seksuale e filluar herët, gratë që kanë më shumë se një partner seksual ose jetojnë me një partner që ka pasur partnerë të shumtë, lindje të shumëfishta, pirja e duhanit, ose ato gra që kanë pasur infeksione të transmetueshme të sëmundjeve seksuale.

Ky kancer shkaktohet nga infeksioni me disa tipe të HPV (human papilloma virus) i cili është infeksion që bartet me marrëdhënie seksuale.

Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, kanceri i qafës së mitrës zë vendin e katërt në mesin e kancereve që prekin gratë dhe shkaktojnë numër të madh të vdekjeve në botë.

Sipas po kësaj Organizate, rreth nëntë nga 10 vdekje, si pasojë e këtij kanceri ndodhin në vendet me të ardhura të ulëta apo të mesme.