Kërkohet kujdes institucional për Liqenin e Batllavës

Mungesa e përkujdesjes institucionale për mirëmbajtjen e përhershme të hapësirave gjelbëruese përreth liqenit të “Batllavës”, ishte njëra ndër çështjet të cilat u diksutua në një tryezë të organizuar nga Sundimi i Demokracisë në Kosovë.

Kjo temë  ishte organizuar për të diskutuar në lidhje me kujdesin institucional për mirëmbajtjen e hapësirave gjelbëruese përreth Liqenit “Batllava” si dhe mundësinë e zonave gjelbëruese.

“Meqenëse zonat përreth Liqenit karakterizohen me bukuritë natyrore, dhe në anën tjetër mungon kujdesi institucional për të krijuar mundësitë e turizmit, u organizua kjo tryezë me akter relevant, nga niveli qendror dhe ai lokal, me qëllim lehtësimin e koordinimit ndërinstitucional për gjetjen e një zgjidhje për mirëmbajtje permanente të hapësirave përreth liqenit dhe mundësinë e zgjerimit të zonave gjelbëruese në fshatin Orllan”, thuhet në njoftimin e SDK-së.

Nga të pranishmit u diskutua mjaft shumë çështja e vendimit të qeverisë ku parashihet Liqeni i “Batllaves” si zonë e mbrojtur, dhe në këtë kontekst pa mundëson realizimin e projekt-ideve që zhvillojnë turizmin në këtë zonë.

“Nga përfaqësues të Institutit për Planifikim Hapësinor në kuadër të MMPH, u potencua që është iniciuar një projekt strategjik, që i jep mundësi zhvillimit të turizmit, konkretisht në zonën e Orllanit me iniciativë të OJQ SDK. Mirëpo ky projekt ende nuk është prezantuar në instanca më të larta, për faktin se do duhej të kaloj në disa filtra me qëllim që të jet në harmoni me ligjet në fuqi”, thuhet tutje në njoftim.

Për shkak se mungesa e kujdesit institucional ishte një problematikë e thënë në po të njëjtën tryezë, andaj si propozim i përmbledhur ishte që niveli lokal, gjegjësisht komuna e Podujevës, duke qenë e përkrahur edhe nga shoqëria civile, do duhej të bëjë presion pozitiv ndaj nivelit qendror që zonat përreth liqenit “Batllava” të kenë kujdesin institucional në mirëmbajtjen e tyre dhe mundësinë e zhvillimit të turizmit.