Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kërkesat e kryetarëve të komunave për Qeverinë e re

Tre kryetarët e komunave, Ardian Gjini, Lutfi Haziri dhe Qëndron Kastrati kanë shpalosur kërkesat e tyre për Qeverinë e cila do ta marrë pushtetin pas 14 shkurtit.

Secili prej tyre në #DebatPernime përballë Jeta Xharrës, numëruan mangësitë, problemet dhe çështjet të cilat e prokupojnë nivelin komunal dhe ku do të duhej të ishte fokusi i Qeverisë së re për t’u ardhur në ndihmë komunave.

Për të qenë pjesë e këtij diskutimi ishin ftuar edhe kryetarët e komunave që i përkasin PDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje, por ata e kanë refuzuar ftesën.

Kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati tha se komuna të cilën e udhëheqë ai po përballet me shpërngulje të popullsisë dhe se niveli qendror duhet t’i mbështes komunat që kanë buxhet më të vogël.

“Kamenica i ka pasur 37 mijë banorë në vitin 2011, e tash janë rreth 27 mijë sipas vlerësimit të ASK-së, mbi 20% e qytetarëve janë duke lëvizur”, ka thënë Kastrati.

Kërkesë e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri për legjislaturën e ardhshme është votimi i marrëveshjes financiare me Bankën Botërore për ujërat e bardha në Gjilan.

Po ashtu, ai tha që Zhegra plotëson të gjitha kushtet që të jetë komunë më vete.

Ligji i Prokurimit është konsideruar si një ndër problemet më të mëdha nga kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini.

“Nëse ka diçka që ua nxinë jetën qytetarëve dhe administratës është Ligji i prokurimit”, ka deklaruar Gjini.

Gjini kërkoi që afatet për shqyrtim të lëndëve në Organin Shqyrtues të Prokurimit duhet me u shkurtu dhe se në Gjykatën e Tenderëve duhet të ketë rrotacion të gjyqtarëve dhe jo gjithmonë të jetë paneli i njëjtë.

Më poshtë gjeni kërkesat e tre kryetarëve të komunave për nivelin qendror:

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
  • Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati

– Ajo çka duhet me u bo është granti zhvillimor, komunat me shpërngulje më të madhe e buxhet më të vogël duhet me pas mbështetje më të madhe nga niveli qendror.

– Qeveria nuk është epror i komunave ne e kemi fillu edhe një proces në Gjykatën Kushtetuese.

– Kamenica i ka pasur 37 mijë banorë në vitin 2011 e tash janë rreth 27 mijë sipas vlerësimit të ASK-së, mbi 20% e qytetarëve janë duke lëvizur.

– Në vitin 2021 nuk mundemi me realizu pagesa online, duhet me e ndryshu sistemin, me dënu atë që e keqpërdor por jo me ua ndalu të gjithëve. Komuna nuk ka kartelë për pagesa online. Duhet me u ndryshu logjika e sistemit.

– Kontratat për shërbime të veçanta.

– Ndërrimi i logjikës së shpërndarjes së buxhetit dhe me i inkuraju komunat me pas progres.

– Duhet me pas kujdes që mos me pas ndarje dhe shteti me funksionu në baza etnike. Me pas sa më shumë komuna që pushteti me qenë sa më afër qytetarit.

– Nuk mundesh krejt regjionin me mbulu me 6 inspektorë të arsimit.

– Granti i shëndetësisë me u organizu që me i ofru shërbimet kudoqoftë. Punëtorët e kualifikuar kanë fillu të ikin e kemi me fillu me pas mungesë të tyre dhe ata do të koncentrohen në qendra më të mëdha.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
  • Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri

– Pres të votohet në Kuvendin e Kosovës ratifikimi i marrëveshjes financiare për trajtimin e ujërave të bardha, rregullimi i shtratit të lumit Morava.

– Sa i përket angazhimeve shtesë mundem me thanë që projektet më të mëdha financiare i kam zgjedh në kohën e qeverisje së AKK-së por që i ka mbështetë qeveria Kurti për 52 ditë se kanë përfunduar negociatat dhe kanë përfunduar nën qeverisjen Hoti.

– Gjilani dhe Anamorava ka vuajtur për investime kapitale deri në Krishtlindjet e vitit 2013.

– Favorizoj grantin e 4-të.

– Decentralizimi fiskal, e bën komunën më të përgjegjshme dhe e merr pjesën tënde që të takon.

– Duhet me ndërtu kapacitete të mira në zyrat e prokurimit.

– Me eliminu OShP-së si organ, OShP është bërë mekanizëm me blloku.

– Fuqizimi i prokurimit elektronik.

– Duhet me u kategorizu komunat urbane, rurale, turistike me u njoftë statusi i qyteteve. Duhet me pas reformë të pushtetit lokal.

– Munden me u kriju edhe komuna të tjera shqiptare, në Gjilan është Zhegra me 12 mijë banorë që i plotëson të gjitha kushtet për me qenë komunë e qëndrueshme.

– Arsimi ka nevojë për infrastrukturë. Mësimi ditor është i obligueshëm. Reformimi i shkollës profesionale. Investimi te fëmijët 0-6 vjeç. Me na lehtësu që ne mos me pagu nga të hyrat komunale në grantin për arsim.

– Shërbimet sekondare në shëndetësi me kalu në kompetencë të qendrave regjionale.

– Qershori dhe korriku me qenë muaj kur Kosova hyn në imunizim dhe ky objektiv është i besueshëm.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
  • Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini

– Deri në vitin 2018 nuk ka pasur investime kapitale përveç Hotel Pashtrikut që është i ndërtuar në vitet e 80-ta. Vitin e kaluar e kemi pa çka do të thotë mos me dashtë dikush me të pa me sy, z.Kurti i ka hequr të gjitha investimet kapitale nga Gjakova.

– Granti i 4-të është mashtrim, e mbajnë monopolin në nivel nacional se ku me shku investimi.

– Procedurat janë shumë problematike për me na leju kodet për edukatore, janë probleme strukturore dhe kur po i dëgjoj partitë politike nuk po ofrojnë zgjidhje.

– Rruga Gjakovë-Shkodër në pjesën e Kosovës është e ndërtuar, edhe kjo është mashtrim. Mirë kish me qenë por Kosova nuk mundet me ndërtu rrugë në Shqipëri.

– Një ndër problemet më të mëdha është Ligji i Prokurimit, nëse ka diçka që ua nxinë jetën qytetarëve dhe administratës është Ligji i prokurimit.

– Në OShP duhet me pas rrotacion të gjyqtarëve.

– Afatet për shqyrtim të lëndëve në OShP duhet me u shkurtu.

– Autonomia e pushtetit lokal është esenciale.

– Duhet me pas rregullore strikte se kur kalon buxheti i Kosovës.

– Mos me shku në zgjedhje parlamentare çdo 4 vjet, ndërrohet Qeveria por jo Kuvendi.

– Bën me pas më shumë komuna. Rugova i plotëson kushtet për komunë. Mundet me pas grumbullime. Duhet me u rishiku komunat e vogla me 1 mijë banorë se nuk munden me i kry obligimet që i marrin. Duhet me u rishiku sistemi se çka bojnë komunat e vogla e çka bëjnë komunat e mëdha.

– Niveli qendror duhet me nda më shumë buxhet për grantin për arsim për komunat.

– Kontratat kolektive janë problem, qe disa vite po e paguajmë faturën, se pasi të vendos Gjykata neve na marrin mjetet e ne duhet me i aloku paret e me i lonë disa drita mangu.

– Duhet me bo çmos me sjellë sa ma shpejtë vaksinën anti-COVID në Kosovë. Të paktën deri në shtator e gjithë popullsia e Kosovës me u vaksinu.

Emisionin e plotë me debatin dhe kërkesat e kryetarëve mund ta gjeni më poshtë.