Kërcënimet ndaj zyrtarëve të LDK-së, flet kryeprokurori i Prokurorisë Speciale

Një raport në lidhje me kërcënimin e paraqitur në polici nga disa zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, tashmë e ka pranuar Prokuroria Speciale të cilën është edhe duke e trajtuar.

Kështu ka konfirmuar për KALLXO.com, shkurt, kryeprokurori i kësaj prokurorie Blerim Isufaj.

“Ju njoftoj se kemi pranuar një raport lidhur me këtë rast dhe po e trajtojmë me seriozitetin e duhur”- ka thënë shkurt Isufaj për KALLXO.com.

Dy ditë më parë Policia e Kosovës ka njoftuar se kanë ndërmarrë veprime dhe kanë hapur një rast si kanosje pasi ishte paraqitur një rast nga disa zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Sipas raportimeve, zyrtarët e LDK-së rastin e kanë paraqitur në Polici.

“Policia e Kosovës, në këtë rast drejtoria kompetente e PK-së, ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme policore lidhur me rastin/kanosjen në fjalë. Të gjitha veprimet e mëtejme policore do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”- ka thënë Bajram Krasniqi nga Policia e Kosovës.

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Kujtim Shala, gjatë një debati televiziv, në RTV Dukagjini ka konfirmuar planin për atentat ndaj kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.

“Po, ne sot kemi marrë një informacion të kësaj natyre, pra mund të konfirmoj që jam i informuar për këtë çështje, për një lloj planifikimi, për një rrjet njerëzish të lidhur me të dhe organizatash në Kosovë dhe në disa shtete të tjera të Bashkimit Evropian dhe jashtë territorit të Evropës. Individë të cilët kanë rënë në përgjime të njërës prej agjencive inteligjente kryesore të BE-së, të vendeve të BE-së dhe nga ajo çka na është thënë ne, del që ka pasur një plan të strukturuar për këtë gjë”- ka deklaruar Shala në “Debat Plus”.

Burime të KALLXO.com kanë bërë të ditur se i dyshuari për kërcënim ndaj deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) është shqiptar.

Sipas burimeve të KALLXO.com brenda grupit hetimor, personi ka rënë në përgjime të organeve të cilat e kanë vlerësuar rastin si kërcënim.

Pas dyshimeve për kërcënim ndaj tij, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku ka thënë se po ndihet i sigurtë.

Ai ka shtuar se këto janë çështje të organeve të drejtësisë.

“Janë çështje të organeve të drejtësisë, ne po presim aq sa prisni edhe ju, besojmë në punën e organeve të drejtësisë. Sot kam ardhur siç kam ardhur çdo ditë, po ndihem i sigurtë si gjithmonë”- u shpreh Abdixhiku të enjten nga Kuvendi i Kosovës, para nisjes së seancës plenare.

Dyshimet për kërcënim ndaj tij, flet Abdixhiku