Dyshimet për kërcënim ndaj tij, flet Abdixhiku

Pas dyshimeve për kërcënim ndaj tij, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku ka thënë se po ndihet i sigurtë.

Ai ka shtuar se këto janë çështje të organeve të drejtësisë.

“Janë çështje të organeve të drejtësisë, ne po presim aq sa prisni edhe ju, besojmë në punën e organeve të drejtësisë. Sot kam ardhur siç kam ardhur çdo ditë, po ndihem i sigurtë si gjithmonë”- u shpreh Abdixhiku të enjten nga Kuvendi i Kosovës, para nisjes së seancës plenare.

Ndërsa, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, deputet i LDK-së, tha se po presin sqarime nga organet e rendit.

“Gjithçka është në dorën e organeve të rendit, është vlersim i tyre, gjykim i tyre, ne e bëjmë punën tonë. Çdo gjë qartësohet nga hetuesi e policia. Personalisht në këtë fazë pritet që ta sqarojë policia. Gjithçka çka është dashtë nga organet e rendit është vlerësim poizitv për atë qe e kemi parë deri tani”- u shpreh ai.

Lumir Abdixhiku dhe Arben Gashi (LDK), 19 janar 2023, Foto: KALLXO.com

Nga holli i Kuvendit nuk pranuan të flasin para mediave, Avdullah Hoti dhe Arben Gashi.

Të mërkurën, deputeti LDK-së, Kujtim Shala ka konfirmuar planin për atentat ndaj kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Burime të KALLXO.com, kanë bërë të ditur se i dyshuari për kërcënim ndaj deputetëve të LDK-së është shqiptar.

Në anën tjetër, Policia e Kosovës ka konfirmuar se ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme në lidhje me rastin e paraqitur nga zyrtarë të kësaj partie politike.