Këngëtarët e hotelierët kërkojnë nga Qeveria lejimin e dasmave dhe ahengjeve (VIDEO)

Vendimet e reja të Qeverisë së Kosovës për parandalimit e përhapjes së COVID-19, duket se nuk u kanë pëlqyer të gjithëve.

Xhevdet Hyseni, drejtor ekzekutiv i Shoqatës për Hoteleri dhe Turiz9m është shprehur i indinjuar pas vendimit të Qeverisë së Kosovës, për moslejimin e më shumë se 50 personave në hapësira të mbyllura dhe të hapura.

Hyseni tha këto vendimet prekin jetën e më shumë se 60 mijë personave dhe se dëmet në ekonomi janë të mëdha. Ai gjithashtu tha se do të  kërkojnë takim me Ministrin e Shëndetësisë sonte ose edhe nesër.

“Jemi para jush për të shprehur indinjatën tonë për vendimet që sot mori Qeveria e Kosovës. Përkundër që ne e kemi dhënë një manual se si do të mbahen dasmat dhe të cilin e ka pranuar vetë MSH-ja, ne kemi pritur një vendim tjetër sot.  Ne duhet të kemi një zgjidhje ose të fillojmë vet një alternativë. Ne kemi një pyetje direktet: Çfarë do të bëhet me neve dhe 60 mijë punëtorë, si do të hyjmë në dimër si do t’i mbajmë familjet tona? Ne nuk kemi të ardhura tjera”, tha Hyseni.

Ndërsa këngëtari Afrim Muçiçi, tha se po përdoren standarde të dyfishta, pasi që puna po u lejohet kafiterive por jo sallave të dasmave.

“Dasmat do të mbahen edhe me ata persona që na ka lejuar qeveria. Kush do të merret me problematikën e atyre personave që nuk do të mund të punojnë. Kafiteritë po punojnë me kapacitet të plotë, nuk po kërkojmë diçka të jashtëzakonshme, mos të përdoren standarde të dyshfita, ka pasur shkelje të rënda për neve. Është një industri e madhe që është mbrapa një dasme” tha ai.

Muçiçi ka thënë se në rast nevoje do t’u drejtohen edhe organizatave e institucioneve tjera për mbështetje.

“Do t’i kërkojmë të drejtat tona, do t’i drejtohemi Avokatit të Popullit ose  Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut, ndoshta edhe Gjykatës Supreme të shohim ku është ai vendim”, ka shtuar ai.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 9-të të saj sot, ka marrë një varg masash për parandalimin e përhapjës së COVID-19.