Ilustrim - Logot e partive politike kosovare

KDI: Partitë politike me 2 milionë euro borxhe

Partia Demokratike e Kosovës është subjekti politik që ka pasur të hyrat më të mëdha gjatë vitit 2019. Krahas të hyrave prej 1.2 milion eurosh, kjo parti ka shpenzuar 100 mijë euro më shumë.

E dyta për nga të hyrat renditet, Lëvizja Vetëvendosje me 1.1 milion euro, por për nga shpenzimet, pas PDK-së, është LDK-ja me rreth 1.3 milion euro.

Këto të dhëna u bënë publike gjatë konferencës së sotme të KDI-së, ku u shpalosën të gjeturat e hulumtimit mbi raportet vjetore financiare të subjekteve politike për vitin 2019.

Hulumtuesi në KDI, Eugen Cakolli tha se shpenzimet e partive politike më shumë përfshijnë fushatën zgjedhore të vitit të kaluar.

“Subjekti politik me më shumë të hyra është PDK-ja me mbi 1.2 milion euro të hyra, pas saj radhitet LVV me mbi 1.1 milion euro. LDK-ja me 910 mijë euro, AAK-ja me 320 mijë euro, Lista Serbe me 300 mijë, ndërsa Nisma-AKR dhe partitë tjera të komuniteteve kanë më pak se 300 mijë euro të hyra…Ndonëse PDK-ja prin edhe sa i përket shpenzimeve gjatë vitit 2019 me 1 milion e 360 mijë euro shpenzime, në pozitën e dytë është LDK-ja me 1 milion e 340 mijë shpenzime gjithsej”, tha ai.

Krahas kësaj, Cakolli bëri të ditura edhe pasuritë e luajtshme dhe paluajtshme të partive politike, ku tha se partia më e pasur është Lëvizja Vetëvendosje.

Derisa theksoi se partitë politike kanë edhe detyrime financiare ndaj palëve të tjera me mbi 2 milionë euro.

“Në kuadër të këtyre kategorive del se Lëvizja Vetëvendosje është subjekti më i pasur me pasuri të luajtshme dhe paluajtshme me mbi 130 mijë euro pasuri të deklaruara. Ndërsa subjekti më i madh në kuadër të koalicionit qeverisës, pra LDK-ja ka deklaruar se ka pasuri në vlerë vetëm 13 mijë euro, duke u renditur si subjekti i tetë për nga pasuritë e luajtshme dhe paluajtshme që ka në dispozicion. Ndërkohë sipas raporteve që janë në versionin e paditura del se partitë politike nuk qëndrojnë mirë as sa i përket detyrimeve që të njëjtat kanë ndaj palëve të tjera. Kjo për shkak se partitë politike në kuadër të formularëve të tyre kanë deklaruar se kanë mbi 2 milionë euro detyrime”, tha ai.

Mes tjerash, Cakolli tha se edhe pse donacionet shihen si një nga burimet kryesore të financimit, sidomos gjatë viteve zgjedhore, subjektet kanë deklaruar vetëm 214 mijë euro donacione, që përbën vetëm 4.6% të të hyrave të përgjithshme të tyre. Sipas tij, në këtë aspekt prinë AKR-ja, pasuar nga LVV dhe Alternativa./rtv21