Ish-kryeministri i Britanisë së Madhe, Tony Blair vizitë në Kosovë - 10.06.2024 - Foto: Kuvendi i Kosovës

Katër djem në Kosovë trashëgojnë emrin e ish-kryeministrit britanik, Tony Blair

Ish-kryeministri britanik Tony Blair ka vizituar Kosovën më 10.06.2024 në 25 vjetorin e Çlirimit.

Ai ka takuar presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Kurti, kryetarin e Kuvendit, Konjfuca dhe të parin e kryeqytetit Përparim Rama, nga i cili pranoi edhe ‘Çelësin e Qytetit’.

Tony Blair ishte kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar mes viteve 1997 dhe 2007 dhe kishte qenë një nga liderët botëror më të zëshëm në mbështetje të shqiptarëve të Kosovës dhe luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kontributi i tij për angazhimin e Aleancës Euroatlantike të NATO-s për bombardimin e caqeve serbe, ishte vlerësuar lartë nga qytetarët në Kosovë.

Për nderim të tij, pas luftës në Kosovë të paktën katër fëmijëve iu la emri Tonibler.

KALLXO.com ka kërkuar në makinën e kërkimit të emrit “Kërko Emrin” në kuadër të Agjencisë së Statistikave të Kosovës dhe aty figurojnë katër djem që mbajnë emrin Tonibler.

Toniblerët e Kosovës vijnë nga Gjakova, Mitrovica, Prishtina dhe Skenderaj.

Sot gjatë ditës, Tony Balir mbajti fjalim në seancën solemne të 25-vjetorit të çlirimit.

Blair: Lufta për Kosovën nuk ishte vetëm për kosovarët, por për të gjithë ne