Kallëzimi penal i LVV-së, reagon Drejtoria e Inspeksionit

Drejtoria e Inspeksionit në Komunën e Prishtinës, ka reguar pasi ndaj tyre u dorëzua kallëzim penal nga asamblistët komunal të Lëvizjes Vetëvendosje që ka të bëjë me punimet në objektin e LDK-së në kompleksin te”Qafa” në kryeqytet.

Ky dikaster ka deklaruar se janë krejtësisht të hapur për bashkëpunim dhe sqarim të secilës situatë me organet e drejtësisë.

Drejtoria e udhëhequr nga Florian Dushi, ka pretenduar se kallëzimi i “rrejshëm” penal i ushtruar me vetëdije dhe për motive politike, përbënë vepër të pastër penale, prandaj shtonë se si drejtori janë të interesuar që kjo çështje të sqarohet deri në fund.

Të martën, këshilltarët e Kuvendit Komunal të Prishtinës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Gëzim Sveçla dhe Arianit Beqiri, kanë dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë e Prishtinës ndaj Drejtorisë së Inspeksionit.

“Ekziston dyshimi i arsyeshëm se zyrtarët përgjegjës – inspektorët e Drejtorisë së Inspekcionit në Komunën e Prishtinës në cilësinë e personave zyrtarë në intervalin kohor nga muaji shtator 2021 – janar 2022, nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare ashtu që nuk kanë kryer mbikëqyrjen inspektuese në bazë të neni 29 të Ligjit 04/L-110 Për ndërtim”, thuhet mes tjerash në kallëzim penal të LVV-së.

Kjo është njoftimi i plotë i Drejtorisë së Inspeksionit:

Drejtoria e Inspekcionit, ashtu siç edhe jeni njoftuar, është në vlugun më të madh të realizimit të aksioneve të cilat dalin nga Plani Emergjent i punës së kësaj drejtorie, aksione këto të mirëpritura dhe të vlerësuara gjithandej nga qytetarët e Prishtinës.

Pavarësisht kësaj, Drejtoria e Inspekcionit, ju siguron se nuk do të ketë asnjë rast/shkelje të supozuar të cilën nuk e ka trajtuar apo nuk do ta trajtojë në të ardhmen në përputhje me procedurat e parapara të kësaj drejtorie, pavarësisht mungesës së madhe të stafit me të cilën po ballafaqohemi.

Si Drejtori e Inspekcionit, mbështetur edhe në kërkesat/ankesat e qytetarëve të Prishtinës, kemi ndërtuar prioritetet e tona të cilat konsiderojmë se përbëjnë prioritet edhe për jetën e përditshme të qytetarëve të Prishtinës, dhe në asnjë formë nuk do të pranojmë diktat politik të askujt lidhur me mbarëvajtjen e punëve dhe realizimin e planeve tona për Prishtinën.

Në fund, Drejtoria e Inspekcionit, është krejtësisht e hapur për bashkëpunim dhe sqarim të secilës situatë me organet e drejtësisë, në çdo kohë, por njëkohësisht, dëshiron të tërheq vëmendjen e “subjektit kallëzues” por edhe të organeve të drejtësisë se, kallëzimi i rrejshëm penal i ushtruar me vetëdije dhe për motive politike, përbënë vepër të pastër penale, prandaj si drejtori jemi të interesuar që kjo çështje të sqarohet deri në fund.