Kadri Veseli i çoi porosi Albin Kurtit për taksën ndaj Serbisë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk duhet të heq taksën ndaj mallrave serbe dhe atyre nga Bosnje Hercegovina.

Por, vetë Veseli kohë më parë kishte bërë një propozim që të pezullohej taksa për 120 ditë.

“Taksa ndaj importeve serbe ka qenë vendim dinjitoz i shtetit tonë për t’iu kundërvënë sulmeve të njëpasnjëshme që Serbia ka bërë kundër Kosovës. Shpreh shqetësimin për ngutinë e tepruar të kryeministrit të ri për të përmbushur kerkësat e Serbisë dhe për të rehatuar Listën Serbe, e cila u largua nga qeveria e kaluar për shkak të taksës”, ka shkruar lideri i partisë opozitare, Kadri Veseli në Facebook të enjten.

“Një qeveri ka rënë si pasojë e taksës, gjë që ka dobësuar për një kohë Kosovën. Prandaj, nuk duhet të ketë manovrime politike për këtë temë të ndjeshme, e cila rrezikon ta dëmtojë më tej vendin tonë. Qeveria e re duhet të mos të dorëzohet para Serbisë përpara sfidave dhe vendimeve të mëdha që e presin Kosovën”, ka thënë tutje ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës.

Në janar të vitit të kaluar, kreu i PDK-së kishte thënë se taksa e cila u vendos nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj, duhet të pezullohet.

“Kosovës nuk i duhet kursi i konfrontimit me SHBA-të e as me BE-në. Përkundrazi! Gjuha e kushtëzimeve ndaj partnerëve tanë kryesorë strategjikë si ShBA dhe BE nuk do ta ndihmojë Kosovën as në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit territorial, e as në rrugën e saj drejt integrimeve euroatlantike”, kishte shkruar Veseli në profilin e tij në Facebook.

Tarifa 100% u vendos me një vendim të Ramush Haradinajt, në nëntor të vitit 2018. Ajo ngjalli reagime tek ndërkombëtarët pasi pezulloi dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.