Ilustrim

Iu gjetën 27 mijë euro të murosura në një depo, arrestohet një person (FOTO)

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një 25-vjeçar pasi të njëjtit i janë gjetur 27 mijë euro të murosura në një depo.

Kontrolli i Policisë së Kosovës ka ardhur pasi një grua më 21 shtator kishte raportuar se i mungonte një çantë me dokumente personale dhe para të gatshme në vlerë 18 mijë euro. Ajo dyshonte se e kishte harruar në një taksi me të cilin kishte udhëtuar për në Fushë Kosovë.

Disa ditë pas raportimit, hetuesit policorë e kanë identifikuar personin e dyshuar dhe sot rreth orës 19:00 kanë arritur ta arrestojnë.

Pjesë e veprimeve policore ka qenë edhe kontrolli i vendbanimit të personit të dyshuar ku edhe i kanë gjetur 27 mijë euro të murosura në një depo.

25-vjeçari A.R., pas përfundimit të procedurave të nevojshme policore, me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.Po ashtu, Policia e Kosovës ka njoftuar se palës së dëmtuar i është kthyer shuma e saj e parave.

Foto: Policia e Kosovës/Facebook
Foto: Policia e Kosovës/Facebook