Foto: Atalayar

Italia largohet prej iniciativës kineze Brezi dhe Rruga

Italia do të largohet prej Iniciativës kineze Brezi dhe Rruga, ka konfirmuar Qeveria e këtij shteti.

Administrata e kryeministres italiane, Giorgia Meloni e ka njoftuar Pekinin që do t’i japë fund pjesëmarrjes në iniciativë.

Italia ka qenë vendi i vetëm i madh i Perëndimit që ka qenë pjesë e iniciativës qysh prej vitit 2019, një prej projekteve më ambicioze të Kinës në fushën e tregtisë dhe infrastrukturës.

Ky vendim ishte kritikuar prej Shteteve të Bashkuara dhe disa vendeve tjera.

E lansuar nga presidenti kinez, Xi Jinping, më 2013, Brezi dhe Rruga synon investim në vlerë të 1 trilion dollarëve përreth Azisë dhe Evropës.

Në projekte përfshihen hekurudha të reja dhe porte detare, me qëllim të lidhjes së Evropës me Kinën dhe me pjesë tjera të Azisë.

Mirëpo, iniciativa është kritikuar prej fillimit prej SHBA-së, si shembull i “diplomacisë që vë shtetet në kurth, përmes borxheve”.

Uashingtoni ka thënë se planet e Kinës kanë të bëjnë me projekte të paqëndrueshme dhe të pamundshme financiarisht për shumë vende, duke rënë kështu në kurthin e Pekinit.

Nëse do të shkëputej, kontrata me Italinë ka pasur një pikë që parashihte vazhdim automatik të kontratës në mars të vitit të ardhshëm.

Muaj më parë, Meloni e ka quajtur vendimin e Qeverisë paraprake si “gabim serioz” dhe ka dhënë shenja se synon të largohet prej iniciativës.

Megjithatë, zyrtarë aktualë qeveritarë kanë thënë se synojnë të mbajnë marrëdhënie të mira me Kinën, pavarësisht vendimit.

Vetëm një pjesë e investimeve 20 miliardë euroshe të Kinës janë materializuar në Itali.

Vitin e kaluar, eksportet italiane në Kinë kanë kapur vlerën e 16.4 miliardë eurove, për dallim prej 13 miliardë eurove më 2019.

Eksportet kineze në Itali janë rritur në 57.5 miliardë euro prej 31.7 miliardë eurove, në periudhën e njëjtë.

Kina tregton edhe më shumë mallra me dy vendet tjera të Bashkimit Evropian, Francën dhe Gjermaninë, pavarësisht se këto dy vende nuk janë pjesë e iniciativës kineze./REL.