Ish-oficeri i ushtrisë amerikane jep detaje nga dita e fillimit të bombardimeve të NATO-s

Profesori amerikan dhe ish-oficeri i ushtrisë amerikane, Edward Joseph në një intervistë për emisionin “Jeta në Kosovë”, ka dhënë detaje nga intervenimi i NATO-së në Kosovë, më 24 mars të vitit 1999.

“Mund t’ju them se ky ishte një intervenim i drejtë dhe unë isha mjaft i sigurt për këtë, pasi që unë isha në terren në atë kohë duke bashkë-udhëhequr në atë kohë Stenkovecin, kampin e stërngarkuar të refugjatëve i cili ishte afër kufirit në mes të Kosovës dhe Maqedonisë”, tha ai.

“Ishte një intervenim i drejtë, mendoj se gjëja më e rëndësishme që të mbahet mend është se historia më e re e Kosovës nuk ka filluar në vitin 1999. Mendoj se kjo është shumë e rëndësishme veçanërisht pasi që njerëzit kanë filluar të diskutojnë për një marrëveshje të mundshme në mes të Kosovës dhe Serbisë”, ka shtuar Joseph.

Sipas tij, është me rëndësi të kujtohet se historia e re filloi në vitin 1987 kur Sllobodan Millosheviqi “filloi suprimimin e autonomisë së Kosovë, e cila erdhi shumë më parë se rënia e Murit të Berlinit, shumë më parë se sa fillimi i shthurjes së Jugosllavisë dhe para ndonjë lëvizje për pavarësi në Kosovë”.

“Unë mendoj se kjo është shumë e rëndësishme të mbahet mend dhe ne nuk duhet vetëm të fokusohemi vetëm në vitin 1999”, ka shtuar profesori amerikan.

Më 24 mars 1999, ShBA dhe aleatët e saj perëndimorë filluan një fushatë bombardimi ndaj Serbisë që i dha fund luftës së Kosovës.

Intervistën e plotë mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm: