Seanca ndaj sh-drejtorëve komunalë të Prizrenit (12.08.2022), Foto: KALLXO.com.

Ish-drejtorët e Komunës së Prizrenit japin mbrojtjen para gjykatës

Ish-drejtori i shërbimeve publike në Prizren, Levent Kasemi sot ka filluar ta japë mbrojtjen në Gjykatën e Prizrenit për akuzat e keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Tre ish-drejtorët komunalë, Levent Kasemi, Fejzë Kabashi dhe Refik Shaqiri, së bashku me anëtarët e tjerë të komisionit, Ares Shporta dhe Ganimete Babuna, akuzohen se kanë dhënë në shfrytëzim pronën e paluajtshme të Komunës së Prizrenit duke shkelur kriterin e ankandit publik.

Gjatë gjykimit, Kasemi deklaroi se pas përfundimit të procedurave për zgjedhjen e fituesit të ankandit, çmimi më i lartë është vlerësuar nga ana komisionit.

“Në rastin konkret oferta e cmimit më të lartë e që është lokali për të cilin e ka ofruar këtu i dëmtuari Albert Doci është poentuar me numrine pikëve 30, kurse Fatmire Berisha në këtë kriter është vlerësuar me 24.5 pikë pasi ka ofruar cmim më të ulët” – tha i akuzuari.

Kurse në mënyrë të përgjithshme Fatmire Berisha ishte vlerësuar me 74.5 pikë ndërsa i dëmtuari me 71 pikë.

I njëjti shtoi se në shfrytëzim kishin qenë 38 lokale, kurse për të fituar ankandin duhet të plotësoheshin disa kushte, si çmimi më i lartë, krijimi i vendeve të punës, menaxhimi i biznesit nga gjinia femërore ku vlerësohet me 5 pikë dhe kushte të tjera.

Kasemi në vijim të gjykimit mohoi të ketë lidhje familjare me fituesen e ankandit.

Ai shtoi se si komision për dhënien e lokalit kanë marrë parasysh dhe janë shërbyer me ligjin dhe rregulloren për përcaktimin e procedurave të dhënies në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme.

Seanca e sotme u ndërpre, ajo e radhës u caktua për 19 gusht.

Aktakuza ka të bëjë me tenderin publik për lokalet që janë pronë e Komunës së Prizrenit, të cilat Komuna i jep në shfrytëzim me qira.

Të gjithë të akuzuarit kanë qenë pjesë e komisionit për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të Komunës së Prizrenit, përderisa kryetar i komisioni ka qenë i akuzuari – drejtori Levent Kasëmi, e zëvendëskryetar – drejtori Fejzë Kabashi.

Në aktakuzën e Prokurorisë së Prizrenit thuhet se më 18 mars 2019 të akuzuarit duke vepruar në cilësi të personave zyrtarë nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare të përcaktuara me ligj dhe njëkohësisht i kanë tejkaluar kompetencat e tyre ligjore.

Sipas Prokurorisë që të gjithë të akuzuarit me dashje e kanë shkelur kriterin e vetëm të ankandit publik dhe Ligjin për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të Komunës.

“Përzgjedhja e fituesit bëhet në bazë të një kriteri dhe atë të çmimit më të lartë të ofruar, duke favorizuar ofertuesen Fatmire Berisha në dëm të të dëmtuarit Albert Doçi, i cili nuk është përzgjedhur si përfitues i ankandit edhe përkundër faktit se i dëmtuari kishte kuotuar me çmim më të lartë”, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë.

Sipas aktakuzës, ofertuesi, në këtë rast i dëmtuari Albert Doçi, kishte ofruar shumën prej 25.20 euro për m2, për lokalin që gjendet në Shatërvan, ndërsa ofertuesja të cilës i është dhënë lokali me qira kishte ofertuar në shumën prej 20.06 euro për m2.

Prokuroria në aktakuzën ndaj 5 zyrtarëve të komisionit ka  theksuar se përkundër faktit se në bazë të dokumentacionit të prezantuar dëshmohet se përfituesja e lokalit nuk ka pasur përvojë në menaxhim dhe zhvillim të biznesit, komisioni e ka poentuar me pikë maksimale.

I dëmtuari Albert Doçi kishte paraqitur ankesë në Komisionin e Ankesave, i njëjti Komision e kishte aprovuar ankesën e palës së dëmtuar, dhe përmes një vendimi e ka kthyer çështjen në rishqyrtim.

Por, sipas Prokurorisë, përkundër këtij fakti, komisioni i përbërë nga pesë të akuzuarit ka potencuar se qëndrojnë para njoftimit ku janë shpallur fituesit e ankandit për shfrytëzimin me qira të lokaleve – pronë komunale.