Irani miraton projektligj për hixhabin: Gratë përballen me 10 vjet burg për veshje 'të papërshtatshme'

Parlamenti i Iranit e ka miratuar një projektligj të diskutueshëm përmes të cilit do t’i rrisë kohëzgjatjet e burgimit dhe gjobat për gratë dhe vajzat që e shkelin kodin e rreptë të veshjes.

Ato që janë veshur “në mënyrë të papërshtatshme” mund të përballen me deri në 10 vjet burg sipas projektligjit të lartcekur, për të cilin u ra dakord për një “gjykim” tre-vjeçar.

Ky projektligj pritet ende duhet të miratohet nga Këshilli i Gardës në mënyrë që të shndërrohet në ligj.

Kjo masë vjen një vit pasi shpërthyen protestat për vdekjen në paraburgim të Mahsa Amini, i cili u arrestua dhe mbajt nga policia e moralit për një hixhab të dyshuar të pahijshëm.

Gratë i digjnin shamitë e tyre ose i tundnin në ajër në demonstratat mbarëkombëtare kundër institucionit klerik, gjatë të cilave thuhet se qindra njerëz u vranë npas një intervenimi nga forcat e sigurisë.

Një numër gjithnjë e më i madh grash dhe vajzash kanë pushuar së mbuluari flokët në publik pasi trazirat janë qetësuar, pavarësisht kthimit të policisë së moralit në rrugë dhe vendosjes së kamerave të vëzhgimit.

Sipas ligjit iranian, i cili bazohet në interpretimin e vendit të Sheriatit, gratë dhe vajzat mbi moshën e pubertetit duhet t’i mbulojnë flokët e tyre me një hixhab dhe të veshin rroba të gjata e të gjera për t’i maskuar figurat e tyre.

Aktualisht, ata që nuk respektojnë këtë ligj rrezikojnë një dënim me burg nga 10 ditë deri në dy muaj ose një gjobë nga 5,000 deri në 500,000 rialë (0,10-10,14 dollarë sipas kursit të këmbimit të tregut të zi).

Të mërkurën, anëtarët e parlamentit votuan me 152 pro dhe 34 kundër për ta miratuar “Projektligjin e Hixhabit dhe Dlirësisë”, i cili thotë se njerëzit që kapen të veshur “në mënyrë të papërshtatshme” në vende publike do t’i nënshtrohen një dënimi “të shkallës së katërt”.

Sipas kodit penal, kjo nënkupton një dënim me burg nga pesë deri në 10 vjet dhe një gjobë nga 180 milionë deri në 360 milion rialë (3,651-7,302 dollarë).

Projektligji propozon gjithashtu gjoba për ata që e “promovojnë lakuriqësinë” ose “tallen me hixhabin” në media dhe në rrjetet sociale dhe për pronarët e automjeteve në të cilat një shofere apo pasagjere femër nuk e ka veshur të hixhabin ose veshje të përshtatshme, sipas agjencisë së lajmeve AFP. 

Çdo person që e promovon shkeljen e kodit të veshjes “në mënyrë të organizuar” ose “në bashkëpunim me qeverinë, media, grupe ose organizata të huaja ose armiqësore”, mund të burgoset gjithashtu nga pesë deri në 10 vjet, thuhet në këtë projektligj.

Projektligji tani do të dërgohet për miratim nga Këshilli i Gardës, një organ konservator i klerikëve dhe juristëve. Ata kanë fuqinë për ta vënë veton ndaj projektligjit nëse e konsiderojnë atë në kundërshtim me kushtetutën dhe Sheriatin.

Në fillim të këtij muaji, tetë ekspertë të pavarur të të drejtave të njeriut të OKB-së paralajmëruan se projektligji “mund të përshkruhet si një formë e aparteidit gjinor, pasi autoritetet duket se po qeverisin përmes diskriminimit sistemik me qëllimin për t’i shtypur gratë dhe vajzat në nënshtrim të plotë”.

“Projektligji vendos dënime të rënda për gratë dhe vajzat për mosrespektim, gjë që mund të çojë në zbatimin e tij të dhunshëm”, thanë ekspertët.

“Ligji shkel gjithashtu të drejtat themelore, duke përfshirë të drejtën për të marrë pjesë në jetën kulturore, ndalimin e diskriminimit gjinor, lirinë e mendimit dhe të shprehjes, të drejtën për protestë paqësore dhe të drejtën për të pasur qasje në shërbime sociale, arsimore dhe shëndetësore, dhe lirinë e lëvizjes”./BBC

Përgatiti: Nuhi Shala