Inspektorati Policor nis hetimet rreth një incidenti, ku një polic jashtë detyrës nxori armën zyrtare

Inspektorati Policor i Kosovës ka nisur hetimet rreth një incidenti që ka ndodhur dje në Prevallë, ku dyshohet se një pjesëtar i Policisë, i cili ka qenë jashtë detyrës dhe në rroba civile, e ka nxjerrë armën zyrtare për të ndalur një përleshje mes disa personash.

Lajmin e ka konfirmuar për KALLXO.com zëdhënësi i Inspektoratit Policor të Kosovës, Arbër Beka.

“Inspektorati Policor i Kosovës ju konfirmon se është duke trajtuar këtë rast në Departamentin e Hetimeve. Veprimet e mëtutjeshme do të ndërmerren në përputhje me autorizimet ligjore të IPK-së në koordinim me prokurorinë kompetente” – ka thënë ai.

KALLXO.com raportoi pak më parë për një incident që ka ndodhur dje në Prevallë, ku dyshohet se katër persona e kanë sulmuar një tjetër për shkak se ky e kishte parkuar veturën para lokalit të tyre.

Për të ndalur këtë përleshje ka ndërhyrë zyrtari policor, i cili ishte jashtë detyrës dhe në rroba civile.

Sikur ka thënë zëdhënësi i Policisë Rajonale të Prizrenit, Shaqir Bytyqi, polici fillimisht kishte dhënë komanda verbale që të ndalej sulmi e më pas e ka nxjerrë armën, të cilën e ka mbajtur në pozitë të sigurt dhe prapë ka vazhduar me komandë verbale.

Më pas, zyrtari policor ka thirrur Policinë përmes telefonit dhe tutje patrulla ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe është marrë me rastin.