Injorimi i 31-vjetorit të tubimit te "Verrat e Llukës" dhe inaugurimit të bustit të Anton Çettës nga presidentja dhe kryeministri

Më 1 maj, është shënuar 31-vjetori i tubimit më të madh të pajtimit të gjaqeve që mblodhi rreth gjysmë milioni shqiptarë në vendin e njohur si “Verrat e Llukës” në Deçan.

Për nder të kësaj date historike, më 1 maj në Komunën e Klinës u përurua edhe shtatorja e veprimtarit Anton Çetta, i cili ishte në ballë të lëvizjes për pajtimin e gjaqeve në fillim të viteve të 90-ta.

KALLXO.com merr vesh nga burime brenda Komunës së Klinës se në ceremoninë e inaugurimit të bustit të Çettës kanë qenë të ftuar presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, por që asnjëri nuk kanë marrë pjesë në shënimin e kësaj dite.

Përpos që nuk i janë përgjigjur ftesës për inaugurimin e bustit së njërit prej figurave kryesore të lëvizjes për pajtimin e gjaqeve, as presidentja dhe as kryeministri nuk e kanë përkujtuar 31-vjetorin e ngjarjes më të madhe të faljes së gjaqeve në Kosovë as përmes postimeve në Facebook, siç bëjnë zakonisht apo përmes komunikatave për media.

Dje, KALLXO.com ka dërguar pyetje në Presidencë dhe në Zyrën e Kryeministrit për t’i pyetur se pse nuk kanë marrë pjesë në inaugurimin e bustit së Anton Çettës dhe pse nuk e kanë përkujtuar tubimin e mbajtur te “Verrat e Llukës”, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka marrë përgjigje.

Realizimi artistik i portretit në bronz i cili është vendosur në Klinë, është modeluar nga skulptori Agron Blakçori, ndërsa në bronz është realizuar nga Emiliano Nurçja.

Vendosja e bustit u mundësua nga Komuna e Klinës, Asociacioni Forumi i Intelektualëve “Luigj Gurakuqi” dhe Këshilli i Donatorëve nga Diaspora- Zvicër.

Nga ana tjetër, 31 vjet më pas, në vendin e njëjtë, në fshatin Llukë të Epërme, i cili ka qenë nikoqir i mbi 500 mijë personave më 1 maj të vitit 1990, Komuna e Deçanit ka organizuar një tubim.

Ideja për organizimin e një tubimi madhështor te “Verrat e Llukës” ka qenë e një grupi studentësh bashkë më dy profesorët e tyre. Ata ishin: Have Shala, Musa Berisha, Myrvete Dreshaj, Ethem Çeku, etj., si dhe dy profesorët Anton Çetta dhe Zekria Cana.

Ata që kontribuuan në ketë kuvend janë edhe personalitetet si: Mark Krasniqi, Dom Lush Gjergji, Ibrahim Dreshaj, Azem Shkreli, Mulla Ajni Ramadani, prof. Ramiz Kelmendi, Nimon Alimusaj dhe Nëna Ajshe Gërvalla.

Në këtë Kuvend, i cili është më i madhi në historinë e shqiptarëve, 106 familje shtrinë dorën e pajtimit edhe pse ishin të rrethuar nga okupatori serb.

Në këtë ngjarje, Ramush Haradinaj ka ndarë medalja “Me besim në Zot, Atdhe e Shtet” për disa nga aktivistët e pajtimit të gjaqeve, duke i nderuar ata pas vdekjes, prof. Zekeria Cana, prof. Anton Çetta, prof. Ramiz Kelmendi, Azem Shkreli, Nana Ajshe, Mark Krasniqi, Nimon Alimusaj dhe Jashar Salihu. Gjithashtu medalje u ndanë edhe për aktivistët që ende jetojnë: Musa Berisha, Have Shala, Ethem Çeku, Myrvete Dreshaj, Don Lush Gjergji, Mulla Ajni Ramadani dhe Sali Cacaj.

Një medalje të tillë, është ndarë edhe për fshatin Llukë e Epërme, që ishte nikoqir i Kuvendit të Madh.

“Skenë e magjishme! Verrat e Llukës mbetet një diçka që nuk është parë me sy asnjëherë më, një tubim masiv, një unitet, një mobilizim, një zgjim i vetëdijes kombëtare, një betim. Unë mendoj që Lëvizja e  Pajtimit të Gjaqeve ka qenë bërthama e krijimit të Ushtrisë Çlirimtare”, kështu e ka përshkruar tubimin te “Verrat e Llukës”, kështu e ka përshkruar tubimin te “Verrat e Llukës”, Shukrie Rexha, e cila iu bashkua Fushatës së Pajtimit të Gjaqeve në fillimet e saja më 1990, shërbeu si udhëheqëse e Këshillit të Pajtimit në Prishtinë, dhe përgjatë të ‘90-tave ishte aktive në Lëvizjen Kombëtare për Çlirimin e Kosovës (LKÇK), si dhe në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Në shkurt të vitit 1990 disa të rinj e formuan Lëvizjen për Pajtimin e Gjaqeve, në ballë të së cilës
u vu Profesori Anton Çetta.

Në ato tubime madhështore që janë organizuar anë e mbanë Kosovës e trojeve tjera etnike, si në Kaçanik e Lug të Drinit, Rrafsh të Dukagjinit, “Verra të Llukës, në Shalë e në Karadak, në Llap, Drenicë e Gollak, në Has, Rekë, Podrime, Lapushë, Podgur e Rugovë, Rrafsh i Kosovës e në viset tjera.

Gjatë periudhës së ekzistencës, 2 Shkurt 1990 – 17 Maj 1992, të Lëvizjes për Faljen e Gjaqeve, Plagëve dhe Ngatërresave, u arritën mbi 2500 pajtime apo falje, ku kemi: mbi 1 mijë gjaqe, mbi 500 plagë dhe 1 mijë ngatërresa.