‘Ibër Lepenci’ sqaron se përse i ndaluan punimet në rrugën ‘Dëshmorët e Ponoshecit’

Ndërmarrja Hidroekonomike “Ibër Lepenc”, ka njoftuar se arsyeja e ndërprerjes se punimeve në rrugën “Dëshmorët e Ponoshecit” , është se sipas tyre Komuna e Prishtinës e ka bërë planin e zhvillimit në pronë të ndërmarrjes.

“Ndërmarrja “Iber-Lepenc” Sh.A., njofton bashkëqytetaret se arsyeja pse janë ndërprerë punimet dhe nuk po lejohet përfundimi i rrugës “Dëshmoret e Ponoshecit”,  është se Planin zhvillimor te cilin e ka bere Komuna e Prishtinës, e ka bere ne pronën e ndërmarrjes, prone e cila është e vërtetuar me certifikate për shpronësim te përhershëm”, thuhet në një postim në ‘Facebook’ të ndërmarrjes.

Ndërmarrja “Ibër Lepenci” bën të ditur se kanë marrë të gjithë hapat e nevojshëm për të mbrojtur pronën e tyre.

Tutje, ndërmarrja ka sqaruar se pas dokumenteve të shqyrtuara, të njëjtin nuk kanë dhënë leje pëlqim për këtë rast duke shtuar se çdo ndërhyrje do të ishte me pasoja te papërballueshme.

“Për t’ua sqaruar edhe juve, ju informojmë se NH “Iber-Lepenc” sh.a., pas shqyrtimit te dokumenteve relevante me te gjitha palët e involvuara, asnjëherë nuk ka dhënë leje pëlqim për këtë rast, pasi qe çdo ndërhyrje do te ishte ne dem te interesit publik dhe me pasoja te papërballueshme”, shkruan ndërmarrja.

Gjithashtu ndërmarrja ka shpjeguar se lidhur me këtë çështje, Inspektorati i Ministrisë së Ambientit ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërprerë punimet dhe se sipas ndërmarrjes adresa e zgjidhjes së çështjes është Komuna e Prishtinës

“Lidhur me këtë çështje edhe Inspektorati i Ministrisë se Ambientit ka dale ne vend ngjarje dhe ka ndërprerë punimet. Adresa e zgjidhjes se kësaj çështje për ju qytetare te nderuar, është Komuna e Prishtinës”, ka thënë ndërmarrja “Ibër Lepenci”.

Rruga ‘Dëshmorët e Ponoshecit’ në lagjen ‘Kalabria’ në Prishtinë ka hyrë në projekt në rikonstruktimit në qershor të vitit të kaluar. Por, ka mbi 8 muaj që kjo rrugë ka mbetur e papërfunduar pasi ndërmarrja publike ‘Ibër Lepenc’ ishte ankuar në Ministrinë e Planifikimit Hapësinor lidhur me pronën ku është traseja e rrugës, inspektorati i së cilës ndërpreu këto punime.

Sipas tyre, nën këtë rrugë kalon gypi i cili lidh Liqenin e Ujmanit deri në liqenin e Badovcit dhe plani për këtë rrugë është bërë pa pëlqim të ndërmarrjes si pronare e tokës.

Gypi i ‘Ibër Lepencit’ i lë në baltë banorët e rrugës ‘Dëshmorët e Ponoshecit’ – VIDEO