Gypi i ‘Ibër Lepencit’ i lë në baltë banorët e rrugës ‘Dëshmorët e Ponoshecit’ - VIDEO

Rruga ‘Dëshmorët e Ponoshecit’ në lagjen ‘Kalabria’ në Prishtinë ka hyrë në projekt në rikonstruktimit në qershor të vitit të kaluar. Por, ka mbi 8 muaj që kjo rrugë ka mbetur e papërfunduar pasi ndërmarrja publike ‘Ibër Lepenc’ ishte ankuar në Ministrinë e Planifikimit Hapësinor lidhur me pronën ku është traseja e rrugës, inspektorati i së cilës ndërpreu këto punime.

Sipas tyre, nën këtë rrugë kalon gypi i cili lidh Liqenin e Ujmanit deri në liqenin e Badovcit dhe plani për këtë rrugë është bërë pa pëlqim të ndërmarrjes si pronare e tokës.

Rreth 6 metra nën këtë rrugë gjendet Gypi fi 1100 (gyp i asbestit i cili shërben për raste të jashtëzakonshme kur ka mungesë të ujit, ku furnizohet Liqeni i Badovcit nga ai i Ujmanit në Mitrovicë.

E gjithë kjo ka bërë që banorët e kësaj zone të mbesin në baltë për disa muaj, madje në kohët kur ka reshje detyrohen të mbushin gropat me vetiniciativë si shkak i gjendjes së rëndë të rrugës.

Banorët këtë pengesë po e konsiderojnë si të paarsyeshme, pasi sipas tyre, kjo është rrugë lokale derisa i njëjti gyp gjendet edhe nën hekurudhë e autostrada.

Rruga e cila ka gjatësi rreth 800 metra lidh lagjen ‘Kalabria’ me magjistralen Prishtinë – Fushë Kosovë, si dhe lidhet me kolektorin e ujërave të zeza dhe tregun me shumicë në Zonën Industriale.

Hilmi Halili, përfaqësues i banorëve të lagjes ‘Kalabria’ thotë se menaxheri i projektit të kësaj rruge u ka thënë se do rifillojë puna, por deri tani nuk ka asgjë në teren.

“Ka mbetur në gjysmë pasi gjatë punimeve që kanë nisur para 8 muajve, ka lindur një mosmarrëveshje mes Iber Lepencit dhe komunës. Komuna është pronare e projektit dhe menaxheri na kanë dhënë shpresa se puna do rifillojë, kurse tani jemi në vitin 2022  dhe ja ku jemi”, ka thënë ai.

Halili deklaroi se në këtë rrugë kalon një gyp i ‘Ibër Lepencit’, që sipas këtyre të fundit, rruga paraqet rrezik për të si shkak i mbipeshës.

“Ibër Lepenci pretendon se këtu kalon një gyp i cili rrezikohet nga veturat ose mbipesha që kalon mbi të. Unë konsideroj se veturat nuk përbëjnë rrezik, as shiriti për çiklistë. Ne si banorë mendojmë se kjo është një neglizhencë institucionale”, shtoi tutje ai.

Sipas përfaqësuesit të banorëve, kjo rrugë ekziston që nga viti 2000, derisa në vitin 2008 ishte shtruar me kubëza, për këto ndërhyrje, nuk kishte pas reagim nga ndërmarrja.

“Kjo rrugë ka qenë edhe më herët, ka pas edhe emërtimin ‘Dëshmorët e Ponoshecit’ nga viti 2000 ekziston, në kubëza është shtruar në vitin 2007/08. Ky është zgjerim apo modernizmi i rrugës me shirita për çiklizëm, trotuar dhe 6 metra gjerësi, më herët ka qenë pa trotuar, vetëm për automjete”, shtoi ai.

Krenar Xhaferi, drejtor i Investimeve Kapitale dhe menaxhimit të kontratave në Komunën e Prishtinës për Kallxo.com ka thënë se lidhur me këtë problem kanë zhvilluar takim me përfaqësues të ‘Ibër Lepencit’, por këta të fundit nuk duan asnjë lloj ndërhyrje në atë zonë.

“Ne kemi pas takim me drejtorin e ‘Iber Lepencit’ lidhur me këtë çështje, pasi banorët kanë mbetur shumë keq. Ata thonë se rruga është në pronësi të tyre dhe shtirmi i saj është bërë pa pëlqim. Ne madje u kemi propozuar që ta shtrojmë rrugën ashtu si ka qenë, me kubëza, por ata nuk duan asnjë lloj ndërhyrje në atë pjesë”, ka thënë Xhaferi.

Xhaferi tutje potencoi se kanë dërguar disa shkresa për marrje të pëlqimit në Ministrinë e Planifikimit Hapësinor, Mjedisit dhe Infrastrukturës si dhe asaj të Ekonomisë, por nuk kanë marr asnjë përgjigje.

“Kemi dërguar disa herë shkresa për pëlqim të punimeve në Ministrinë e Ekonomisë  dhe asaj të Infrastrukturës, por deri tani nuk kemi marr asnjë përgjigje”, Xhaferi.

Aida Sejdiu nga zyra për informim e ndërmarrjes ‘Ibër Lepenc’ ka thënë se komuna ka bërë plan zhvillimor në pronë të ndërmarrjes.

“Iber-Lepenc”  pas shqyrtimit të dokumenteve relevante me të gjitha palët e involvuara, pra edhe pas takimit që Kryeshefi ekzekutiv i ndërmarrjes “Ibër -Lepenc” ka pas me kryetarin e Komunës, kemi ardhur në përfundim që ne si ndërmarrje nuk kemi kompetenca për dhënien e pëlqimit sipas kërkesave që janë bërë”, tha ajo.

Sipas saj, pronar i ndërmarrjes është qeveria dhe këto pëlqime lëshohen vetëm prej kësaj të fundit.

“Pronar i NH “Iber-Lepenc” është Qeveria e Republikës së Kosovës me 100% të aksioneve, andaj sipas nenit 5 të LNP, Qeveria ka kompetencën ekskluzive për ushtrimin e te drejtave të aksionarit për Ndërmarrjet Publike në Republikën e Kosovës”, thuhet nga ndërmarrja.

Sejdiu tutje thekson se rruga është shtuar pa pëlqim te pronarit, andaj Inspektorati i Ministrisë së Ambientit ka ndërprerë këto punime, kurse për komunën kërkoi t’i drejtohet qeverise, pra aksionarit lidhur me këtë temë.

“Rruga është shtruar pa pëlqimin e pronarit dhe aksionarit andaj edhe konsiderohet ilegale. Inspektoriati i Ministrisë së Ambientit ka ardhur në vendin e ngjarjes dhe ka ndërprerë punimet. Andaj nëse Komuna mendon që duhet patjetër t’a vazhdojë ndërtimin e asaj rruge, duhet t’i drejtohet aksionarit, pra Qeverisë së Republikës së Kosovës, ngase ne si Ibër Lepenc konsiderojmë që kemi bërë punën tonë deri këtu”, u tha nga ndërmarrja.

Kurse, Dukagjin Buqaj menaxher i këtij projekti thotë se kanë tentuar të mbushin gropat me zhavorr në kohë të reshjeve, por Inspektoriati i MMPHI i ka urdhëruar të mos e trajtojnë këtë rrugë.

“Ibër Lepenci  nuk na ka lejuar, që gropat e shkaktuara nga të reshurat atmosferike në rrugë t’i mbushim me zhavor. Në tri raste i kemi trajtuar dhe herën e fundit Ibër Lepenci ka dërgu inspektoratin e MMPH-së të cilët na kanë urdhëruar që mos ta trajtojmë këtë rrugë, në të kundërtën, do të marrin masa konform ligjeve në fuqi”, ka thënë Buqaj.

KALLXO.com po ashtu ka kërkuar përgjigje nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe Ministria e Ekonomisë lidhur me këto shkresa të dërguara nga ana e komunës, por deri në momentin e publikimit nuk është dhënë ndonjë përgjigje.