Ilustrim: Paris, Foto: KALLXO.com

I zhdukur prej gjashtë vitesh, adoleshenti anglez është gjetur në Francë

Një djalë 17-vjeçar anglez nga Oldham, i cili u zhduk në Spanjë në vitin 2017, është gjetur në Francë, raporton BBC.

Adoleshenti Alex Batty u gjet në qytetin Revel, në lindje të Toulouse, herët në mëngjesin e të mërkurës.

Zyra e prokurorit në Toulouse i tha BBC-së se familja kishte konfirmuar se adoleshenti ishte Alex Batty.

Gjashtë vjet më parë, Alex, atëherë 11-vjeç, ishte për pushime me nënën dhe gjyshin e tij kur ata u zhdukën në Spanjë.

Nëna dhe gjyshi nuk janë gjetur.

Një burim policor i tha BBC-së se Alex ishte dërguar në një stacion policie nga një shofer i shqetësuar.

Djali tha se kishte qenë në Francë për dy vjet, tha burimi policor, duke shtuar se ai kishte një ngjashmëri me foton e fundit të njohur të Alex-it.

Ai ishte në gjendje të mirë shëndetësore dhe nuk tha se ishte keqtrajtuar.

Gjyshja e tij – dhe kujdestarja ligjore – Susan Caruana i tha BBC-së në vitin 2018 se ajo besonte se nëna e Alex, Melanie Batty dhe gjyshi David Batty e kishin marrë atë për të jetuar me një komunitet shpirtëror në Marok.

Ajo tha se në atë kohë ata po kërkonin një mënyrë jetese alternative dhe nuk donin që Alex të shkonte në shkollë.

Një gazetar vendas i tha BBC-së se një shofer transporti e kishte parë djalin duke ecur përgjatë një rruge në rrëzë të Pirenejve, duke mbajtur një çantë shpine dhe skateboard dhe meqë i erdhi keq keq për të e mori.

“Ata kaluan tre orë së bashku në makinë dhe djali tregoi historinë e tij” – raporton BBC.

Djali aktualisht është nën kujdesin e shërbimeve sociale, dhe Policia britanike është kontaktuar përmes ambasadës në Paris.