I vazhdohet paraburgimi të dyshuarit që plagosi 3 persona në Pejë, njëri nga ta kishte vdekur

Gjykata e Pejës i ka vazhduar masën e paraburgimit Agron Gashit, i cili dyshohet për veprën penale vrasje të rёndё që ndodhi më 22.05.2024 në Pejë, në të cilën mbetën të plagosur tre persona, e njëri nga ta më 07.06.2024 vdiq në QKUK.

Ky rast fillimisht ishte hetuar si “vrasje e rëndë në tentativë”, kurse në një përgjigje të dhënë për KALLXO, Prokuroria e Pejës ka njoftuar se rasti është rikualifikuar si “vrasje e rëndë”.

21-vjeçari ishte arrestuar në mesditën e datës 23.05.2024.

Atij i ishte caktuar masa e paraburgimit më 24.05.2024 nën rrezikun e arratisjes; rreziku për të ndikuar në dëshmitarë dhe asgjësim të provave; si dhe rreziku i përsëritjes së veprave penale.

Sipas dosjes së siguruar nga KALLXO.com, bashkë me Agron Gashin është e përfshirë edhe Liridona Gashi.

Ajo dyshohet për dhënie të ndihmës pas kryerjes së veprës penale dhe ndaj saj prokuroria kishte kërkuar masën e arrestit shtëpiak.

Sipas dosjes, i dyshuari e kishte telefonuar të dyshuarën dhe e njëjta e kishte dërguar të dyshuarin në fshatin Qyshk, por kishte deklaruar se nuk e ka ditur se çfarë kishte bërë i dyshuari, vetëm kishte menduar se ishte rrahur me dikë.

Agron Gashi i sipas dosjes së policisë është i dyshuar për 23 raste të ndryshme penale, kurse nga të dhënat e prokurorisë ka 10 aktakuza për vepra të ndryshme penale si dhe janë duke u zhvilluar hetime edhe për dy vepra tjera penale.

Për KALLXO.com kjo Prokurori kishte dhënë detaje mbi të kaluarën kriminale të të dyshuarit, duke thënë se i njëjti ka pasur aktakuzë për rrezikim të trafikut publik dhe ka një kallëzim penal për kansoje ndaj prokurorit Qavolli që ndërlidhet me rastin e rrezikimit të trafikut publik.

“Ka qenë i akuzuar për rrezikim të trafikut publik, e ka shkelur një polic dhe ka ikur nga vendi ngjarjes. Ka qenë në arrati një kohë, është arrestuar, ka qenë në paraburgim. Njëkohësisht ky e ka edhe një kallëzim penal për kanosje ndaj prokurorit Ersan Qavolli. Në atë periudhë kur ka qenë për rrezikim të trafikut publik“ – kishte thënë për KALLXO.com, zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi.

Përveç dyshimit për kryerje të veprës penale të vrasjes së rëndë, ndaj tij rëndojnë edhe dyshimet për armëmbajtje pa leje.

I njëjti kur është intervistuar nga Prokuroria Themelore në Pejë nuk ka pranuar të flasë duke u mbrojtur në heshtje.

Kjo për KALLXO.com ishte konfirmuar nga prokurori Ersan Qavolli.

Të gjitha raportimet lidhur me këtë rast mund t’i gjeni në këtë LINK.