Emërohet nënkryetari për komunitete në Komunën e Zveçanit

Senad Kuçi është emëruar nënkryetar për komunitete në Komunën e Zveçanit.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar Kryetari i Komunës, Ilir Peci.

Senad Kuçi është emëruar në vend të Natasha Tomaniq, e cila është shkarkuar muajin e kaluar.

“19 asamblistë janë gjithsej. Njëri nuk ka qenë prezent. 18 kanë votuar pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim” – tha Peci për KALLXO.com.

Ai shtoi se Kuçi i përket komunitetit boshnjak.

Më 30.05.2024 ishte shkarkuar nënkryetarja e Komunës së Zveçanit, Natasha Tomaniq.

Peci ka potencuar se shkarkimi i Tomaniqit është bërë për shkak se ajo është munduar t’i detyroi zyrtarët komunalë të bëhen pjesë e partive të caktuara.

“Javën e kaluar kemi marrë vendim për shkarkimin e nënkryetares. Asambleja ka qenë për dhe aty kanë marrë pjesë 17 asamblistë. Të gjithë kanë votuar për”, – ka deklaruar Peci.

Ai ka shpjeguar edhe se si ka ardhur deri te ky vendim.

“Ajo (Tomaniq) ka shkuar dhe ua ka marrë në mënyrë të dhunshme letërnjoftimet të gjithë zyrtarëve për me i shti me votu dhe për t’i regjistruar në parti të ndryshme. Ajo e ka bërë këtë vazhdimisht dhe tre zyrtarë serbë kanë dhënë dorëheqje” – ka thënë Peci.

“Nëse nuk e largon nënkryetaren, atëherë 30 zyrtarë serbë do të japim dorëheqje” – kështu kanë qenë fjalët e zyrtarëve, që Peci thotë t’i jenë thënë në një takim urgjent.

Më 29.05.2023, Peci kishte dhënë betimin për kryetar, e me punë kishte vazhduar nga fshati Lipë, aty ku ndodhet zyra komunale për komunitete.

Pas 11 muajsh, kur edhe u vlerësua se situata e sigurisë është e qetë, Peci bashkë me kabinetin e tij prej 12 drejtorëve u vendosën në ndërtesën e Komunës.

Ai në një intervistë për KALLXO.com kishte thënë se ndërrimi i lokacionit i ka bërë që të jenë më afër e më në kontakt me qytetarët.

 

 

Peci: Tre kandidatë kanë shprehur interesim për pozitën e nënkryetarit të Komunës së Zveçanit