I këshilloi dhe u premtoi se do ia fsheh provat për grabitjen në Prizren, 30 ditë paraburgim për të

Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të pandehurit A.A, i cili dyshohet se ka kryer veprën penale ndihma në grabitjen që ndodhi javën e kaluar në Prizren, ku mbetën të plagosur dy persona.

Sipas komunikatës, Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit ndaj A.A, ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit.

“Me dashje ndihmon personat e tjerë për kryerjen e veprave penale, duke i ‘u dhënë këshilla ose udhëzime, e pastaj duke i ‘u premtuar se do t ‘i fsheh provat e kryerjes së veprës penale, kurse me datë 15 nëntor, në orët e vona shkon me veturë dhe i merr të pandehurit L.L., dhe I.Q., (të cilët paraprakisht dyshohen që të maskuar e të armatosur kishin kryer grabitjet dhe veprat tjera), të njëjtit i pandehuri A.A., i dërgon në Prishtinë”, thuhet në komunikatë.

Tutje në komunikatë thuhet se Gjykata ka vlerësuar se me qëndrimin në liri i pandehuri mund të fshihet apo të jepet në arrati me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale për shkak të dënimit të lartë që parashihet për këtë vepër.

“Gjykata ka ardhur në përfundim se caktimi i paraburgimit në këtë fazë është i arsyeshëm dhe i domosdoshëm, dhe kjo masë i shërben efikasitetit të procedurës penale ngase do të mundësoj zhvillimin normal të hetimeve, do të parandaloj ikjen apo fshehjen e të pandehurit e po ashtu edhe rrezikun e përsëritjes së ndonjë vepre penale”, thuhet tutje në njoftimin e Gjykatës.

Arsyetimi i Gjykatës se pse ishte liruar njëri prej të arrestuarve për plagosjen dhe tentim grabitjen në Prizren