Ilustrim

Arsyetimi i Gjykatës se pse ishte liruar njëri prej të arrestuarve për plagosjen dhe tentim grabitjen në Prizren

Gjykata Themelore e Prizrenit ka caktuar një muaj paraburgim Leutrim Latifit, Ibrahim Qadrakut dhe një personi të tretë me inicialet R.F., për plagosjen dhe tentim grabitjen e cila ndodhi të hënën në mbrëmje në Prizren.

Në njoftim e Gjykatës thuhet se Latifi e Qadraku dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale grabitje në tentativë, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, mbajtje në pronësi të armëve pa leje, grabitje, sulm ndaj personave zyrtar, shkaktim i rrezikut dhe asgjësim i pasurisë.

Të njëjtit ishin arrestuar më 18 nëntor.

Por Leutrim Latifi është emër i njohur për Policinë, Prokurorinë dhe GJykatën. Ai ishte liruar në mars të këtij viti nga paraburgimi.

Leutrim Latifin, Kastriot Shalën e Egzon Sheqirin në mars të këtij viti ishin liruar nga paraburgimi me vend të Gjykata Themelore të Prishtinë.

Latifi, Shala e Sheqiri nga Prokuroria e Prishtinës po akuzohen në bashkëkryerje për pesë vepra, siç janë grabitja, armëmbajtje pa leje, zjarrvënie, mos lajmërim i veprave penale, dhënien e ndihmës së veprës penale kryerësve pas kryerjes së veprës penale.

Për veprën penale të grabitjes Kodi Penal ka paraparë dënimin me gjobë dhe me burgim prej shtatë (7) deri në dymbëdhjetë (12) vjet. Për veprën penale dhënie e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprës penale parashihet dënim prej 6 muaj deri në 5 vjet. Për veprën penale mos lajmërim të kryesve parashihet dënimi me burgim deri në 3 vjet. Për veprën zjarrvënie parashihet dënimi me burgim prej 1 deri në 5 vjet, ndërsa për veprën penale armëmbajtje pa leje parashihet dënim me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet.

Përkundër dënimeve të paraparë me Kodin Penal dhe rrezikshmërisë së veprave penale, trupi gjykues i udhëhequr prej Naser Foniqit e i përbërë prej Vesel Ismajlit e Agim Kuqit, kishte marrë vendim më 26 mars të këtij viti, që të tre personat e akuzuar të lirohen nga paraburgimi.

Sipas këtij vendimi, Latifi, Shala e Sheqiri ishin urdhëruar të paraqiteshin në Stacionin Policor në Prishtinë për 2 muaj.

Ndonëse trupi gjykues ishte bindur se ekziston dyshimi i bazuar se Latifi, Shala e Sheqiri gjatë periudhës kohore gusht 2018 – maj 2019, me qëllim të përfitimit në mënyrë të kundërligjshme të dobisë pasurore, me dy armëve automatike, të maskuar dhe me revole, kanë kryer shumë vepra penale të grabitjes, kishte ardhur në përfundim se të njëjtit duhet liruar nga paraburgimi.

Trupi gjykues vendimin për lirim nga paraburgimi e kishte marrë pasi ishin dëgjuar të dëmtuarit, dëshmitariwt dhe ishin siguruar provat në këtë proces penale.

“Trupi gjykues ka aprovuar kërkesën e mbrojtësve dhe ka vendosur që ndaj të akuzuarve duhet ndërprerë masa e paraburgimit dhe të caktohet ajo e paraqitjes në stacion policor, si masë e mjaftueshme për sigurimin e pranisë së të akuzuarve në procedurë, duke pasur parasysh se të dëmtuarit dhe dëshmitarët janë dëgjuar nga prokuroria si dhe janë siguruar provat materiale nga prokuroria” shkruan në arsyetimin e vendimit të këtij trupi gjykues.

Ndërsa caktimin e masës e paraqitjes në Stacionin Policor, ky trup gjykues e kishte arsyetuar për shkak të rrezikut të arratisjes, fshehjes ose largimit nga vendi për të shmangur procesin penal për shkak të dënimeve të larta që parashihet për këto vepra penale.

“Trupi gjykues ka vlerësuar se ka arsye për të besuar se të akuzuarit mund të fshihen apo të largohen nga vendi, me qëllim të shmangies nga ndjekja penale, duke pasur parasysh faktin se veprat penale për të cilat akuzohen, janë të natyrës së rëndë dhe KPRK ka paraparë dënime relativisht të larta, gjë e cila do të pamundësonte zhvillimin pa pengesa të procedurës penale ndaj të pandehurve, këto rrethana paraqesin shkaqe ligjore mbi caktimin e masës së paraqitjes në stacion policor”, thuhet në faqen e tretë të këtij vendimi.

Ndërsa në fund të këtij vendimi thuhet se kjo trupi gjykues ka vendosur për heqjen e paraburgimit edhe për shkak të gjendjes së pandemisë me Covid-19.

Të akuzuarave për grabitje trupi gjykues edhe në tetor të vitit 2018 u kishte ndërprerë masën e paraburgimit duke e zëvendësuar me masën e paraqitjes në Stacionin Policor.

Ndonëse KALLXO.com kishte kërkuar qasje në këtë vendim kryetari i trupit gjykues heshti përkitazi me kërkesën tonë.

Por Gjykata e Apelit në nëntor të 2020 kishte aprovuar ankesën e prokurorit Hivzi Bajraktarit dhe ndaj tre të akuzuarave kishte vazhduar masën e paraburgimit për 2 muaj.

Tre të akuzuarit paraburgimin e kishin mbajtur në qendrën korrektuese të tipit të mbyllur në Burgun e Sigurisë së Lartë për shkak të rrezikshmërisë së tyre.

Po ashtu Gjykata ka njoftuar KALLXO.com se rasti është në proces e sipër duke mos specifikuar se në cilën fazë të gjykimit ndodhet rasti.

Pamje ekskluzive: Grabitësit shtrihen përtokë nga Specialët