Foto: KALLXO.com

Humbi paratë në bastore, inskenoi grabitjen e tij për t’iu arsyetuar familjarëve

Një 22-vjeçar është arrestuar nga Policia e Kosovës pasi i njëjti e kishte inskenuar grabitjen e tij, për t’iu arsyetuar familjarëve të tij për humbjen e të hollave në bastore.

Rasti ka ndodhur sot në Shtime.

Sipas Policisë, i dyshuari  me inicialet A.A. një ditë më herët kishte paraqitur në Polici rastin e grabitjes, duke deklaruar se nga persona të panjohur i janë grabitur 350 euro në Shtime, në rrugën “14 Dhjetori”.

“Hetimet e mëtejme kanë rezultuar me deklarimin në prani të avokatit mbrojtës si dhe  pranimin në tërësi të inskenimit të rastit nga vet ai me qëllim të arsyetimit para familjarëve për humbjen e parave në bastore”, thuhet në njoftimin e Policisë së Ferizajt.

Me vendim të prokurorit të shtetit i dyshuari lirohet dhe rasti shkon në procedurë të rregullt.

Të gjitha lojërat e fatit, përfshirë bastoret, në Kosovë janë të ndaluara me ligj.