Hoxhaj zhvillimet rreth Ligjit për Zgjedhje, janë dramë e trupit

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës njëherësh ushtrues detyre i kryetarit të kësaj partie, Enver Hoxhaj e ka quajtur “dramë e trupit”, miratimin e Ligjit për Zgjedhje nga Qeveria e Kosovës.

“Kjo çfarë po ndodh sot ku e gjithë vëmendja është e qytetarëve të cilët përballen me pandemi, varfëri për shkak të pandemisë, e ka vetëm një emër, “dramë e turpit” e cila është iniciuar nga Qeveria e Kosovës. Në vend se në Kuvend të Kosovës të mblidhemi dhe të diskutonim se si të kemi një plan për vaksinimin e popullatës, ku deri më tani kanë vdekur 2 mijë persona nga pandemia, ku ekonomia po shkatërrohet, ne merremi me një krizë të re e cila e ka burimin te kryeministri Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje”, ka thënë Hoxha, para pak minutave në konferencën për medie mbajtur në hollin e Kuvendit të Kosovës, pas zhvillimeve të fundit dhe marrjës së vendimit nga Qeverisë për ndryshime në Ligjin për Zgjedhje.

Sipas Hoxhajt, nuk mund të bëhet reforma zgjedhore vetëm me një ligj pa pasur mbështetje të tjera.

“Nuk pranojmë që t’i nënshtrohemi vullnetit të askujt, kemi qenë dhe do të mbesim front për të mbrojtur demokracinë në Kosovë. Qytetarët duhet të kuptojnë se është Kurti ai i cili dëshiron që të ketë zgjedhje të parakohshme, është Kurti që ka frikë nga pushteti, i cili nuk dëshiron të marr përgjegjësi, i cili përmes Ligjit për Zgjedhje ta qojë vendin në zgjedhje të parakohshme”, tha ai duke shtuar se përgjegjësi kryesor që vendi të shkoj në zgjedhje të parakohshme është vetë Albin Kurti.