Hoxhaj thotë se mori përkrahje nga ish-Sekretari i Organizatës për Bashkëpunim Islamik

Kandidati për Kryeministër nga PDK-ja, Enver Hoxhaj ka thënë se ka marrë përkrahje nga ish-Sekretari i Organizatës për Bashkëpunim Islamik (OIC), Ekmeleddin İhsanoğlu.

Sipas Hoxhajt, përmes një videoje, İhsanoğlu ka uruar që Enver Hoxhaj të dalë suksesshëm në këto zgjedhje, duke përmendur të gjithë kronologjinë e bashkëpunimeve me Enver Hoxhajn, sa ishte ministër i Arsimit dhe ministër i Jashtëm.

“Më 18 Shkurt 2008, ne ishim në një qytet të vogël Senegalez në bregdetin e Oqeanit Atlantik, duke u takuar me kolegët në Sekretariat për t’u përgatitur për Konferencën Ministrore dhe Samitin të OBI-t që do të mbahej në Dakar në mes të shkurtit.”, ka thënë İhsanoğlu.

Tutje, ai tregoi se mëngjesin e 18 shkurtit, të vitit 2008, ka ftuar kolegët e tij në një takim të veçantë ku iu tha atyre se parlamenti i Kosovës shpalli pavarësinë.

“Pastaj ne duhet të lëshojmë një deklaratë të fuqishme në mbështetje të cilën e hartuam dhe e lëshuam menjëherë. Ndodhi që kjo deklaratë e OBI-t të ishte deklarata e parë nga ndonjë organizatë ndërqeveritare në botë.”, ka thënë tutje.

“Në mbrëmjen e të njëjtës ditë, të hënën më 18, unë u takova me Presidentin Senegalez Abdoulaye Wade duke i treguar atij për zhvillimet dhe duke i kërkuar që të formalizoj njohjen. Pas disa diskutimeve, ai e pranoj idenë dhe menjëherë i dha udhëzime Ministrit të tij të Jashtëm për të njohur Kosovën, e cila ndodhi në të njëjtën mbrëmje.,” tha ai.

Krejt në fund, ai i dha mbështetje kandidaturës së Enver Hoxhajt për kryeministër, duke thënë se është Hoxhaj ai që do të punojë në shërbim të kombit dhe shtetit të Kosovës.

“Tani, sot mendoj se ka nevojë për një shtysë të re dhe të fuqishmë për të siguruar njohjen e vendeve të tjera të OBI-t, si dhe për të lënë mënjanë pengesat e tjera diplomatike që qëndrojnë si pengesa për përparimin e Kosovës. Në këtë kontekst, i uroj me gjithë zemër mikut tim të dashur Dr. Hoxhaj suksese dhe fat të mirë në shërbim të kombit dhe vendit të tij.”, ka shtuar ai.

Ndërsa, Enver Hoxhaj, kandidati i PDK-së për kryeministër të Kosovës është shprehur falendërues për mikun e tij, Ekmeleddin İhsanoğlu, me të cilin tha se kanë udhëtuar bashkë në shumë shtete për t’i siguruar njohje Kosovës.

“Si Sekretar i Përgjithshëm i Organizatës për Bashkëpunim Islamik (OIC) me 57 shtete anëtare, İhsanoğlu ka qenë zëdhënësi më i mirë i njohjes së Kosovës në botën muslimane. Lobimi i tij në sigurimin e njohjeve nga Pakistani, Egjipti, Katari dhe shtete të tjera do të jetë pjesë e trashëgimisë së historisë tonë të re”, ka shkruar Hoxhaj.