Jarinjë - FOTO: Adelina Ahmeti - KALLXO - 22.09.2021

Hoxhaj: Mirëpres vullnetin e Qeverisë për implementimin e marrëveshjeve që ka prodhuar dialogu

 

Deputeti i partisë më të madhe opozitare në vend, Enver Hoxhaj, ka thënë se mirëpret implementimin e siç i ka quajtur ai marrëveshjeve të prodhuara nga dialogu Kosovë-Serbi duke kritikuar Kurtin se tani po zbaton dhe afirmon marrëveshje të dialogut rezultatet e të cilin sipas tij ai në të kaluarën i ka mohuar.

“Mirëpres vullnetin e Qeverisë së Kosovës për të implementuar marrëveshjet që ka prodhuar dialogu Kosovë-Serbi. Kryeministri Kurti në të kaluarën i ka mohuar rezultatet e dialogut, sot po zbaton marrëveshjet dhe afirmon ato! Më mirë vonë se kurrë!”, ka shkruar Hoxhaj në Facebook.

Ai tutje ka shprehur përkrahje për Policinë e Kosovës dhe shpresë që ky reciprocitet i pjesshëm, siç e ka quajtur ai, do të bëhet në koordinim me ShBA dhe Bashkimin Evropian.

“Në këto momente, të gjithë jemi me mendje dhe zemër me pjesëtarët e Policisë së Kosovës. Shpresoj që ky reciprocitet të koordinohet plotësisht me ShBA-bë dhe Bashkimin Evropian”, vazhdon shkrimi i Hoxhajt.

Ai në fund ka thënë se vendime të tilla kërkojnë veprim politikë e krijim të fakteve brenda vendim, koordimin me partnerët e jashtëm, dhe betejë diplomatike me kundërshtarët.

Reagimi i plotë i Enver Hoxhajt:

Mirëpres vullnetin e Qeverisë së Kosovës për të implementuar marrëveshjet që ka prodhuar dialogu Kosovë-Serbi. Vendime të tilla duhet t’i shërbejnë përmbylljes së shtetësisë së Kosovës, jo hapjes së fushatës zgjedhore. Kryeministri Kurti që në të kaluarën ka mohuar rezultatet e dialogut, sot po zbaton marrëveshjet dhe afrimon ato! Më mirë vonë se kurrë!

Por ne që ishim në qeveri dhe që tash jemi në opozitë, s’duhet të jemi vonë karshi interesit shtetëror. Është e shëndetshme për demokracinë e brendshme në Kosovë të kemi dallime politike, por jo edhe përballë agresionit të Serbisë dhe kur jemi në të drejtën tonë si shtet!

Në këto momente, të gjithë jemi me mendje dhe zemër me pjesëtarët e Policisë së Kosovës, të cilët në dekadën e fundit kanë dëshmuar se janë gardianët më të mëdhenj të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.

Shpresoj që ky reciprocitet i pjesshëm të koordinohet plotësisht me SHBA-në dhe Bashkimin Evropian për të prodhuar më shumë ushtrim të sovranitetit se lajme ditore!

Vendime të tilla strategjike kërkojnë veprim politik e krijim të fakteve brenda Kosovës, koordinim të jashtëm me partnerët strategjikë të Kosovës, por edhe betejë diplomatike me kundërshtarët e shtetit tonë! Vetëm kështu përmbushen qëllimet dhe mënjohen pasojat që mund të prodhojë gjendja në veri të vendit!