Hoxhaj dhe zv/kryeministri i Maqedonisë së Veriut, ftojnë mërgatën të regjistrohen

U. d. Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Enver Hoxhaj, ka zhvilluar takim me zëvendëskryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi.

Hoxhaj tha se në këtë takim temë kryesore e diskutimit ishte regjistrimi i popullsisë nga diaspora shqiptare në Maqedoninë e veriut.

“Temë kryesore e takimit tonë të përbashkët ishte që e gjithë diaspora shqiptare nga Kosova e gjithë diaspora shqiptare nga Ballkani, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, nga Mali i Zi, Lugina e Preshevës, nga rajoni i Evropës Juglindore do të duhej të jenë në mbështetje dhe të japin kontributin e tyre që sa më shumë shqiptar nga Maqedonia e Veriut të regjistrohen në këtë proces të regjistrimit civil. Ky nuk është proces teknik por proces shumë i rëndësishëm politik”, tha Hoxhaj.

Hoxhaj në emër të PDK-së ka ftuar shqiptarët që jetojnë në pjesë të ndryshme të botës me prejardhje nga Maqedonia e Veriut, të marrin pjesë në mënyrë aktive në regjistrimin civil që sipas Hoxhaj të shihet se sa shqiptar jetojnë jashtë vendit duke treguar se janë në Ballkan sikurse është faktoi gjerman në Evropë.

“Fillimisht këtë duhet ta dëshmojmë me statistika”, tha Hoxhaj.

Çështja e dytë sipas tij që është diskutuar është tema që të bëhet mbledhje e përbashkët e dy qeverive.

“Ne jemi në opozitë dhe mbesim krenar në opozitë por dua ta ftoj qeverinë e ardhshme të Kosovës të ndodh mbledhja e përbashkët sepse do të kishte ndikim të madh në bashkëpunim politik fushën e sigurisë, zhvillimin ekonomik, por mbi të gjitha bashkëpunimi ndër vëllazëror në mes Prishtinës Shkupit e Tetovës”, tha Hoxhaj.

Edhe Artan Grubi tha se është diskutuar për çështjet që i përmendi Hoxhaj.

Ai tha se rritja e numrave është jetike për zbatimin e të drejtave politike të shqiptareve në Maqedoninë e Veriut.

Gjithashtu, tha se mezi po e presin formimin e qeverisë së re në Kosovë që të vijojnë me mbajtjen e mbledhjes së përbashkët.

“Mezi po e presim formimin e qeverisë së re në Kosovë që të vijojmë me mbajtjen e mbledhjes së përbashkët të qeverive dhe t’i realizojmë marrëveshjet duke filluar me largimin e kufijve mes nesh”, tha ai.

Grubi tha se nga 1 marsi ka fillu regjistrimi dhe deri tani figurojnë rreth 72 mijë qytetarë të regjistruar në mërgatë.