Enver Hoxhaj dhe Jan Hecker - Foto: FAcebook/ Enver Hoxhaj

Hoxhaj bisedon me këshilltarin e kancelares Merkel

Kandidati për kryeministër nga PDK, Enver Hoxhaj, ka zhvilluar sot një bisedë telefonike me këshilltarin kryesor të kancelares gjermane, Angela Merkel, Jan Hecker.

Përmes një postimi në Facebook, Hoxhaj ka treguar për temat që kanë biseduar me Hecker.

“Biseduam për situatën politike në Kosovë dhe rajon, si dhe rimëkëmbjen e ekonomisë pas pandemisë së shkaktuar nga virusi Covid-19. Po ashtu, folëm për të ardhmen euroatlantike të Kosovës dhe punën në funksion të rritjes së mirëqenies së qytetarëve tanë krahas me partnerët e BE-së. Biseduam edhe për nivelin e ri të marrëdhënieve mes dy shteteve tona në muajt e ardhshëm”, ka shkruar Hoxhaj.

Ndonëse nuk është caktuar ende data e zgjedhjeve, PDK ka vendosur që kandidat për kryeministër të jetë deputeti Enver Hoxhaj.

Partitë politike pas takimeve më u.d. të presidentes, Vjosa Osmani kanë përmendur fundin e janarit ose fillimin e shkurtit si kohë e përshtatshme për zgjedhje pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që të shkarkoi Qeverinë Hoti për shkak të pavlefshmërisë së votës së deputetit Etem Arifi.