Hoxha: Të gjithë që e kemi nënshkruar kontratën për lobim, jemi të pafajshëm

Dhurata Hoxha, ish ministrja e Integrimeve Evropiane, që i është ngritur aktakuzë nga Prokuroria Speciale për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ka thënë se të gjithë zyrtarët që e kanë nënshkruar kontratën për lobim, janë të pafajshëm.

“Prokuroria pretendon tejkalim të kompetencave të mia, si shkelje të ligjit të prokurimit publik. Të gjithë që e kanë nënshkruar këtë kontratë janë të pafajshëm, është respektuar ligji në përpikëri. Të gjitha procedurat janë kryer me sukses bazuar në ligj”, ka thënë Hoxha në RTV21.

Ajo ka thënë se qëllimi i kontratës së nënshkruar ishte për të zbutur qëndrimin e Francës, në lidhje me liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Franca ka qenë kundër liberalizimit të vizave dhe kjo ka të bëjë me zbutjen e qëndrimit të Francës, këtë e ka pasur obligim kompania dhe mendoj që ka pasur sukses. Unë kam pasur takime me ministra të BE-së dhe të gjithë më thonin, shko bisedo me Francën”, tha Hoxha.

Hulumtimi i KALLXO.com nxori në pah se paratë e taksapaguesve ishin përdorur për të lobuar për ndryshim të kufijve, dhe që ditë më parë, rezultoi me aktakuzë të ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ndaj ish ministres Hoxha, dhe zyrtarëve të tjerë për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Bashkë me të, po akuzohen edhe ish sekretari i Ministrisë Kushtrim Cukaj dhe zyrtarët me inicialet F.M., D. Sh. dhe N. O.

Pas hulumtimit nga KALLXO.com, ngritet aktakuzë kundër Dhurata Hoxhës për kontratat lobuese