Dhurata Hoxha, Ministre e Integrimeve Europiane - FOTO-KALLXO.com

Dhurata Hoxha: Është qesharake të thuhet se me 168 mijë euro mund të lobosh për ndarje të Kosovës

Ish ministrja e Intergrime Evropiane, Dhurata Hoxha, ka thënë se është qesharake me thënë se me 168 mijë euro është lobuar për ndarje të Kosovës.

E ftuar në ‘Argument Plus’ të RTV 21, për të folur rreth aktakuzës që është ngritur ndaj saj nga Prokuroria Speciale, Hoxha tha se është zgjedhur kompania në fjalë, për shkak të çmimit më të ulët.

“Edhe e kemi marrë këtë kompani, çmimi ka qenë i ulët sepse janë miq të Kosovës. Asnjë cent nuk është keqpërdor. Me pas qenë kaq e lehtë me lobu për ndarje, me 168 mijë euro, të gjitha shtetet kishin lobu. Është me të vërtetë qesharake me thënë se është lobu. Kemi pasur kontrata të tilla, edhe qeveria e tashme ka kontrata të tilla, një burimore”, tha Hoxha.

Ajo tha se ka rishikuar mirë çështjen e bashkëpunimit me kompanitë lobuese, përkatësisht, e ka të qartë se pse zgjodhi kompaninë franceze për lobim.

“Po akuzohem se u kam bërë disfavor kompanive franceze. Kompaninë lobuese duhet me e shiku se a është miqësore ndaj vendit tonë, dhe unë, atë e kam shiku”, tha Hoxha, duke shtuar se në konkurrencë ka pasur edhe kompani lobuese dyshimta.

Hulumtimi i KALLXO.com nxori në pah se paratë e taksapaguesve ishin përdorur për të lobuar për ndryshim të kufijve, dhe që ditë më parë, rezultoi me aktakuzë të ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ndaj ish ministres Hoxha, dhe zyrtarëve të tjerë për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Bashkë me të, po akuzohen edhe ish sekretari i Ministrisë Kushtrim Cukaj dhe zyrtarët me inicialet F.M., D. Sh. dhe N. O.

Pas hulumtimit nga KALLXO.com, ngritet aktakuzë kundër Dhurata Hoxhës për kontratat lobuese