Hoxha: 'Shën Albini' iu premtoi çifteve të reja banesa të përballueshme, nuk e realizoi zotimin

Deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha ka përmendur premtimin elektoral të kryeministrit Albin Kurti për banesat për çiftet e reja.

Duke iu drejtuar Kurtit me emrin “Shën Albin” – si ironi për “Shën Valentinin”- Ditën e të dashuruarve, deputetja Hoxha tha se premtimi nuk është realizuar por sipas saj, çifteve të kalauara që kanë banesë ju është rritur tatimi në pronë.


“Të dashuruarve qifteve të reja, Shën Albini u kishte premtuar banesa të përballueshme që të kenë mundësinë në nisin jetën e përbashkët me lehtësi. Leje që nuk e ka realizuar as edhe një të vetme deri më sot por është siguruar që edhe çifteve të kaluara që kanë banesë e shtëpi të jua rritë tatimin në pronë e në kohë inflacioni të ju rëndohet jeta”- tha ajo.

Më tej, Hoxha u shpreh se me këtë qeverisje nuk ka të ardhme për Kosovën, e as për shoqërinë.

“Ajo që me siguri sot e shohim dhe e shohin edhe qytetarët, është se me këtë qeverisje nuk ka të ardhme Kosovën e as për shoqërinë. Kjo Qeveri ka prodhuar një realitet të brishtë duke nxitur një gjendje të depresonit kolektiv e degradimit shoqëror e shtetëror”- deklaroi ajo.

Dy vite më parë, më 14 shkurt 2021, Lëvizja Vetëvendosje kishte fituar zgjedhjet parlamentare.

Një ndër premtimet e Kurtit për politikat sociale ka qenë edhe banesat për qiftet e reja, më saktësisht 4 mijë banesa për çiftet e reja me skemën 120×120 ose 150×150.