Hovenier: Prioriteti ynë numër një është që Ballkani Perëndimor të integrohet në BE

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e shohin Kosovën si pjesë të një rajoni të bashkuar të Ballkanit Perëndimor.

Kështu ka thënë ai, në samitin “Ballkani Perëndimor 2024”, i cili po mbahet në Prishtinë, më 11.06.2024.

“Prioriteti ynë numër një për Ballkanin Perëndimor është për ta mbeshtetur në procesin e integrimit europian, sepse e ardhmja e rajonit është në BE dhe NATO”, ka deklaruar Hovenier.

Diplomati amerikan theksoi se çdo vend që hynë në BE është më stabil dhe më demokratik, sepse hyrja në këtë bashkësi krijon mundësi më të mira për punëtorët dhe bizneset.

“Edhe pse jam këtu për të folur për perspektivën amerikane më duhet të them me të vertetë se këndvështrimi amerikan është plotësisht në vijë me BE-në, dhe jemi të lumtur që BE-ja po e shtyn këtë mbeshtetje, po e stimulon rajonin përmes Planit për Rritjen e Ballkanit Perëndimor”, shtoi Hovenier.

SHBA, sipas tij, është e përkushtuar të bashkëpunoj dhe të mbështes vendet e Ballkanit Perëndimor.

Stabiliteti, siguria e prosperiteti, siç tha ai, kërkojnë integrim dhe se Plani për Rritjen e Ballkanit Perëndimor ofron mundësi të mëdha për rajonin.

Në këtë samit ka folur edhe kryeministri, Albin Kurti.

Ndër tjera, ai ka thënë se Kosova nuk ka probleme me popullin serb, por me qeverinë e Serbisë.

“Problemet që kemi nuk kanë të bëjnë me serbët, por me Beogradin që nuk u distancua as me Millosheviqin e as me Putinin. Pra, problemi është me fqinjin tonë verior, jo si popull, por si qeveri- si regjim”, është shprehur Kurti.

Gjatë fjalimit, Kurti ka përmendur diskriminimin pozitiv që kanë serbët në Kosovë, mes tjerash 10 vendet e garantuara në parlament si dhe gjuhën serbe si gjuhë zyrtare në Kosovë.