Hoti prezanton planin qeverisës: 6 miliardë euro investime në 7 vitet e ardhshme

Kandidati i LDK-së për kryeministër, Avdullah Hoti, ka bërë publik planin e qeverisjes së partisë së tij.

Hoti përmes një adresimi ka përmendur disa nga prioritet e qeverisjes së tij, duke premtuar deri në 6 miliardë euro në 7 vitet e ardhshme.

“Pjesë e këtyre investimeve është edhe plani i BE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor, me 700 milionë euro vetëm për Kosovën, ky hyjnë projektet në infrastrukturë, në autostrada, në hekurudha, në qasje në internet, ngrohje qendrore në qytetet e ndryshme të Kosovës, dhe në fushën e energjisë”, tha Hoti.

Hoti ka përmendur edhe skemat sociale si dhe ngritjen e pagës minimale në vend.

“Do të rishikojmë skemat sociale dhe pensionale në tërësi për t’i bërë ato skema të qëndrueshme. Do të rrisim pagën minimale në 300 euro dhe do të heqim nivelizimin e pagës minimale sipas moshës që ekziston tash e sa vite. Për pensionistët kontributdhënës do të heqim këto 15 vite, që është minimumi i përvojës së punës për të përfituar pensionin kontributdhënës. Nga viti 2023 nuk do të ketë pensione që do të jenë me të ulët se paga minimale në vend”, ka theksuar ai.

Për qeverisjen e LDK-së, sipas Hotit, vend të veçantë do t’i kushtohet edhe shtetit të së drejtës.

“Në këtë drejtim, parimet tona janë të qarta tek shteti ligjor, sigurimi i plotë i pavarësisë së institucioneve të drejtësisë, jo vetëm në letër por me veprime konkrete, duke mbajtur vetën gjithmonë të distancuar nga çfarëdo interferimi në vendimet që marrin organet e drejtësisë… e dyta është vetingu i institucioneve të drejtësisë. Do të fokusohemi në ndërtimin e një kornize të qartë ligjore, rregullativë për të rritur performancën e institucioneve të drejtësisë, për t’u siguruar që lëndët të mos zgjasin, pa ndërhyrë asnjëherë”, ka thënë Hoti.

Hoti ka përmendur edhe fushën e shëndetësisë për të cilën ka thënë që prioritet është vaksina anti COVID-19 por edhe sigurimi pa pagesë i barnave esenciale.

“Prioriteti jonë në shëndetësi është vaksinimi anti Covid-19 për të cilin i kemi marrë hapat e parë, kontraktimin e vaksinës, shpresoj që në javën e parë të shkurtit ne të fillojmë me shpërndarjen e vaksinës, krahas vendeve të BE-së, bazuar në listën prioritare, në strategjinë e imunizimit që tanimë e kemi me ekspertët tanë”, tha ai.

“Do të koncentrohemi në sigurimin e barnave esenciale pa pagesë, për gjithë ata që kanë nevojë, të sëmurë kronikë, por edhe grupet e tjera të qytetarëve. E treta në këtë fushë që do të bëjmë janë sigurimet shëndetësore, të cilat ka qenë e pamundur të zbatohen menjëherë për shkak të ngarkesës, dhe ky sistem i ri i sigurimeve shëndetësore, neve na mundëson që nga viti i ardhshëm njerëzit të përfitojnë gjitha shërbimet shëndetësore me kosto të përballueshme, në bazë të premtimeve shëndetësore”, shtoi ai.

Ndërsa sa i përket arsimit, Hoti ka thënë që do të synojnë arsimin tërëditor.

“Do të shkojmë nga arsimi tërëditor, në disa prej komunave ne shumë shpejt mund të eksperimentojmë me arsimin tërëditor. Në arsimin e mesëm do të shkojmë nga arsimi profesional siç quhet Dual, ku nxënësit, një pjesë të kohës kalojnë në shkolla dhe pjesën tjetër kalojnë në ekonomi private ose institucione publike”, theksoi ai.

Në arsimin parauniversitar Hoti ka thënë se do të investojnë shumë në siguri në shkolla.

“Kjo nënkupton një qasje të integruar në komunitet të shkollës, duke integruar edhe organet e rendit, por në veçanti komunitetin ku është e vendosur shkolla, këshilli i prindërve, këshilli i arsimtarëve, komunikimi me nxënësit por edhe krijimi i ambientit fizik për siguri në shkolla. Në arsimin e lartë do të fokusohemi në cilësi në veçanti, por edhe në pajisje të arsimit të lartë me mjete të nevojshme pedagogjike”, ka thënë Hoti.

Hoti ka folur edhe për zhvillimin ekonomik, bizneset, garantimin e  kredive, normat e interesit.

“Do të përmirësojmë qasjen në financa edhe për bizneset edhe për qytetarët. E para është rritja e fondit për garantim të kredive, subvencionimi i normave të interesit, një politikë që ka kohë që jemi duke e zhvilluar. Do të rrisim garantët për biznes në gjithë sektorët pa përjashtim, zvogëlimi i licencave. Ne tanimë kemi studimin e gatshëm për të zvogëluar këto licenca në minimum dhe për të zvogëluar edhe inspektoratet e ndryshme dhe gjitha këto t’i integrojmë në një institucion të vetëm, brenda zyrës së kryeministrit. Një fushë tjetër me interes është fiskalizimi digjital. Atë që jemi duke bërë dhe do ta finalizojmë së shpejti është zhvillimi i softuerëve të caktuar që do të licencohen për t’u ofruar bizneset”, ka thëne Hoti

Hoti ka premtuar shitjen e aseteve të AKP-së përmes një vale të vetme.

“Ne jemi të gatshëm që procesin e privatizimit ta përmbyllim me një valë të vetme, me një ankand publik, ku do t’i listojmë të gjitha asetet që janë në listë të AKP-së, me një ankand të vetëm përmbyllet procesi i privatizimit dhe AKP-ja transformohet në një zyrë brenda Qeverisë, që menaxhon me kontratat në vijim”, ka thënë Hoti.

Avdullah Hoti ka thënë se në sektorin publik do të bëjnë matjen e performancës për secilën ndërmarrje duke vendosur indikatorë për secilën nga to për të mbikëqyrur punën e menaxhmenteve.

Ndërsa për OJQ-të, odat ekonomike dhe shoqatat e ndryshme, Hoti ka premtuar ndihmesa gjatë qeverisjes 4-vjeçare të LDK-së.