Hoti: Për disa ditë në Kosovë vijnë vaksinat e para

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti në një takim virtual më kryetarët e komunave të Kosovës ka thënë se ardhja e vaksinës për COVID-19 është çështje ditësh.

“Për disa ditë vinë vaksinat e para, është bërë strategjia e imunizimit, besoj kryetarët e komunave janë të njoftuar në detaje për këtë çështje. Ato shpërndahen shpejtë janë identifikuar edhe personat, grup moshat që do të imunizohen në fillim”, tha ai.

Hoti falënderoi kryetarët e komunave për bashkëpunimin që e kanë pasur me qeverinë për menaxhimin e pandemisë COVID-19.

“Arsyeja përse e kam thirrur këtë takim është të ju falënderoj për bashkëpunimin që e kemi pasur dhe të kërkoj që të mbajmë sistemin tonë plotësisht të mobilizuar tash kur jemi në muajt e fundit të kësaj pandemisë. Sepse ndoshta ka ra pak vëmendja jo e institucioneve por e qytetarëve ndoshta”, tha Hoti.

Kryeministri në detyrë, kritikoi shtabet komunale për lëshime në trajtimin e qytetarëve të infektuar me COVID-19.

“Në bazë të vlerësimit po shihet që kemi një lëshim tek shtabet lokale në kuptim të mbikëqyrjes së personave që janë të infektuar për ti mbajtur të izoluar dhe për t’i ofruar shërbime në shtëpi”, tha Hoti.

Vaksinat anti COVID-19 janë premtuar që do të vinë në Kosovë gjatë muajit shkurt.

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, më 6 janar ka thënë se vaksinat e para anti COVID-19 pritet të vijnë në muajin shkurt, ndërsa sipas parashikimeve pritet që të vaksinohen rreth 20 mijë qytetarë brenda ditës.

“Dje janë konkretizuar bisedat për 535 mijë vaksina, janë konkretizuar bisedat më Austrinë për 600 mijë vaksina. Kemi siguruar edhe buxhetin dhe janë ndarë 40 milionë euro për vaksinën anti-COVID. Presim që vaksinat e para të vijnë në shkurt”, kishte theksuar Hoti.

Edhe ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, në të njëjtën ditë tha se gjatë atij  muaji (janar) do të finalizohej marrëveshja mes Ministrisë dhe kompanisë Pfizer në mënyrë që vaksinimi të fillojë në muajin shkurt.

“Gjatë kësaj jave MSH dhe kompania Pfizer do të finalizojë marrëveshjen dhe në muajin shkurt do të fillojë vaksinimin. Me qëllim të vaksinimit të suksesshëm Instituti ka përcaktuar edhe grupet për vaksinim, të gjithë qytetarët që duhet të vaksinohen do të vaksinohen dhe tanimë kjo është e siguruar, vaksina do të jepen falas për popullatën”, kishte deklaruar Zemaj.

Ende në pritje për vaksinën që “do të vijë në shkurt”