Hoti mohon se tema e të pagjeturve është kushtëzuar me personat e zhvendosur në zotimet në Uashington

Kuvendi i Kosovës po mbanë punimet me pikën e tretë rendit të ditës që është interpelanca e kryeministri Avdullah Hoti për çështjen “trajtimi i dëmshëm i temës së të pagjeturve në zotimet e 4 shtatorit, duke e kushtëzuar me personat e zhvendosur”.

Kryeministri Hoti në fjalimin e tij ka mohuar në këto zotime përdoret termi kushtëzim. Ai deklaroi se do të vazhdojnë kërkimet për gjetjen e tyre, deri tek i fundit.

“Plotësisht është e pabazë, pasi askund nuk përdoret termi ‘kushtëzim’,  nuk mund ta gjeni në tekstin e marrëveshjes apo zotimeve, e as në planin e zbatimit të marrëveshjes, sigurisht është çështja e juaj si e fiksoni, nuk behet fjalë për kushtëzimin e këtyre dy çështjeve. Pika 12 që i referohet kësaj çështje, i referohet qartë “të dyja palët zotohen t’i përshpejtojnë përpjekjet për t’i gjetur e për t’i identifikuar mbetjet e personave të zhdukur. Të dyja palët zotohen të zbatojnë zgjidhje afatgjatë të qëndrueshme për refugjatet dhe për personat e zhvendosur brenda vendit. Të dyja palët zotohen të identifikojnë një pikë kontakti për t’i udhëhequr këto përpjekje brenda ministrive përkatëse. Pra, nuk ka asgjë të keqe në këto zotime”, u shpreh Hoti.

Ai shtoi se Kosova ka arritur dinamiken për gërmime mortore, për të cilat tha se këtë vit do të vazhdojnë edhe në pesë lokacione të ndryshme në Kosovë dhe jo vetëm.

“Theksoj në këtë rast gërmimet që janë duke u realizuar në Mitrovicë, Suriganë, përfshirë edhe gërmimet, përkatësisht vazhdimi i gërmimeve në Kizhevak në rajonin e Rashkës, në Shtaval të Sinicës dhe lokacione të tjera në Serbi. Në Kosovë deri në fund të këtij viti, përderisa do të mundësojë moti planifikohet të gërmohet në 5 lokacione për gjetjen e trupave”, u shpreh ai.

Propozuesja e kësaj interpelancë, deputetja nga radhët e LVV-së, Saranda Bogujevci ka kritikuar Qeverinë për mos zbardhjen e fatit të të pagjeturve, e që sipas saj, kjo temë nuk është trajtuar siç duhet në Uashington.