Historia politike e 5 viteve të fundit përplasë ashpër Kurtin e Haradinajn

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj kanë replikuar lidhur me çështjen e demarkacionit me Malin e Zi.

Kurti ka kujtuar kundërshtimin e Haradianjt për një kohë të gjatë të marrëveshjes për shënjim të kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi dhe faktin që kjo marrëveshje u votua gjatë qeverisjes së Haradinajt.

“Përveç që bëni  gabime e dëme nuk mund të ju marrë seriozisht. Keni qenë kryeministër ja dhatë Malit të Zi 8 mijë 200 hektarë, ma herët i keni marrë 200 për vete, aman na kurseni nga leksionet”, i është drejtuar Kurti Haradinajt.

Ndërsa deputeti Ramush Haradinaj ka replikuar duke i thënë se nëse mendon që ka humbur 8 mijë e 200 hektarë le ta sjell për votim marrëveshjen e demarkacionit.

“Ju po vlerësoni mu kthye shpesh tek disa tema, po ma kujtoni që e kam ble një tokë në Gllogjan, bofsh hajër. Ma kujtuat që unë e kam lëshu bajrakun për 8 mijë e 200 hektarë nga Kosova me Mal i Zi, pra në kufi. Ti i ke 80 deputetë dhe voton ligje dhe bjere nesër pra aprovimin e marrëveshjes për demarkacion dhe nëse po doni me shpëtu Kosovën dhe po mendon që i kemi hup ata 8 mijë e 200 hektarë edhe unë po ta jap votën time, sille në parlament, por nuk mundesh me vazhdua me mashtru Kosovën”, ka thënë Haradinaj.

Kryeministri Kurti i ka thënë Haradinajt se në kohën kur ishte kryeministër çështjen e dialogut ja ka lënë ish presidentit.

“Ju deputeti Haradinaj keni qenë kryeministër dhe dialogun ja patet lënë ish-presidentit kur lulëzoi projekti i shkëmbimit territorial, na patet krijuar një grup super teknik me në krye Fatmir Limajt dhe Shpend Ahmetin, ja çfarë grupi keni bërë ju. Dhatë dorëheqje sepse ju intervistuan në Hagë e mandej dojshit më u bë president. Presidente është Vjosa Osmani me 300 mijë vota në popull të Kosovës e 82 në sallë”, ka shtuar ai.