"Hidrodrini' nuk ka laborator të akredituar për analiza të ujit

Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti është mbledhur për të diskutuar për performancën e Kompanive Rajonale të Ujit, në këtë takim janë të ftuar Autoriteti Rregullator për Shërbimet e Ujit dhe Kompanitë Rajonale të Ujit.

Fahrie Morina, drejtoreshë e Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit ka thënë se vetem KRU “Prishtina”, KRU “Gjakova” dhe “Hidroregjioni Jugor” i kanë laboratorët e cilësisë së ujit të akredituara.

Agron Dibrani, kryeshef në “Hidrodrini” ka treguar se kanë laborator, por të pa akredituar.

“Ne kemi laborator por nuk jemi të akredituar. Jemi në proces të akreditimit. Pajisjet i kemi dhe i përdorim për nevoja tona. Ndërsa tash jemi në proces për këtë punë. Kemi marrëveshje me Institutin për kontrollin e cilësisë, deri sa të akreditohemi. Ata kanë autonominë me marr mostrat e ujit për kontroll. Gjatë muajit i kemi rreth 240 mostra”, ka thënë Dibrani.

Në anën tjetër, Armend Muja deputet i Lëvizjes Vetëvendosje ka potencuar se ‘Hidrodrini’ ka pasur problem me cilësi të ujit edhe në vitin 2013.

“Sa dekada ju duhen që të keni laborator të cilësisë. Pse KRU Gjakova dhe KRU Prishtina kanë, ndërsa të tjerat nuk kanë. Edhe sa ju duhet me kuptu që me ujë nuk ka hajgare. ‘Hidrodrini’ ka pasur problem me cilësi të ujit edhe në vitin 2013. Nuk e di a e keni kuptu prej atëherë që nuk ka hajgare me ujë”, ka thënë Muja.

Dibrani ka treguar se pas reshjeve të shiut në Deçan janë bërë mostrat e ujit të pijshëm në këtë komunë.

“Ngjarja në Deçan na ka trondit pa mase. Të shtunën mbrëma ka ra shi ne Deçan, në ora 5 ka fillu shiu në 8 e gjysmë jemi njoftu prej kryetarit se ka fluks te pacienteve. Ne si kompani e kemi ftu Institutin. Gjatë inspektimit me ekipet tona nuk kemi vërejt diçka te pazakontë. Pasi qe është ardh Instituti, janë marrë mostrat. Pasdite kemi pranu mostrat kimike kanë rezultu që nuk ka ndotje kimike”, ka thënë Dibrani.

Tutje, Kryeshefi ka potencuar se bakteret të cilat janë gjetur në ujin në Deçan nuk mund të jenë shkaktar të helmimit.

“Tërë kohën e kemi kërku fajtorin, por ende nuk është gjetur. Lajmi ka qenë se janë gjetur bakteret, por bakteret nuk munden me shkaktu atë helmim. Mostrat janë marrë në lokacionin ku ka bagëti”, është shprehur Dibrani.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka bërë të ditur se janë identifikuar disa baktere në ujin e Deçanit që mund të japin indikacion për kontaminim të ujit të pijshëm.

IKSHPK: Në ujin e Deçanit janë identifikuar disa baktere