Haziri për koalicionin me PDK-në: Ne nuk e kemi obligim me i ftu

Kryetari i Komunës së Gjilanit dhe nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri ka deklaruar se nuk e kanë obligim që ta ftojnë PDK-në për koalicion për t’i bërë numrat.

“Ne me ftu nuk e kemi obligim, ne nuk kemi kurrfarë nevoje e obligimi me ftu PDK-në”, ka deklaruar Haziri.

Më tej ai ka thënë se nuk është politikë e LDK-së me e ftu PDK-në në koalicion.

“Jo, nuk është politikë e jona, ne kemi qenë në opozitë edhe kemi dhënë kontribut konstruktiv edhe si opozitë”, shtoi ai.

Po ashtu, nënkryetari i LDK-së tha se e sheh PDK-në si parti të rëndësishme në Kosovë.

“Unë PDK-në e shoh si parti të rëndësishme përveç LDK-së, PDK është një prej partive më të rëndësishme”, tha Haziri.

Haziri këtë e ka thënë në emisionin “Jeta në Komunë” në debatin për Gjilanin përballë asamblistëve dhe aktivistëve të shoqërisë civile.

“Jeta në Komunë” ka filluar të transmetohet që nga java e kaluar dhe çdo mbrëmje Jeta Xharra ka përballë nga një kryetar komune për të diskutuar mbi problemet dhe sukseset e komunave që nga marrja e mandatit në fund të vitit 2017.

Debati për Gjilanin do të transmetohet në ditët në vazhdim në orën 22:30 në televisionin Dukagjini dhe në faqen e Facebook-ut të KALLXO.com.