Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Haradinaj: Referendumi i Serbisë në Kosovë, kundër kushtetues

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se partia e tij vlerëson se referendumi kushtetues i Serbisë në Kosovë, është jo kushtetues dhe jo-ligjor.

Në Kuvendin e Kosovës ai ka thënë se votimi me postë dhe në Zyrën ndërlidhëse të Serbisë përmbushë standardet ndërkombëtare të cilat po ashtu i respekton edhe Republika e Kosovës.

“AAK kërkon nga institucionet e Kosovës të mos lejojnë cenimin e rendit kushtetues”, tha ai.

Haradinaj kërkoi nga bashkësia ndërkombëtare që të përkrahin Kosovën për ruajtjen e rendit kushtetues.

Ndërkaq, në emër të Grupit Multietnik, Erxhan Galushi tha se e përkrahin rezolutën e propozuar nga kryeministri Albin Kurti për kundërshtimin e mbajtjes së referendumit serb në Kosovë.

Kuvendi i Kosovës ka nisur seancë të jashtëzakonshme me kërkesë të kryeministrit Albin Kurti, pas kërkesave që të mbahet referendumi i Serbisë në Kosovë.

Qeverisë së Kosovës po i kërkohet që të lejojë mbajtjen e referendumit të Serbisë të dielën, në komunat me shumicë serbe.

Referendumi serb ka të bëjë me ndryshimin e Kushtetutës për disa çështje në lidhje me gjyqësorin, me qëllim të harmonizimit të legjislacionit me atë evropian, në procesin e anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se serbët lokal të Kosovës mund të jenë pjesë e referendumit të Serbisë duke votuar përmes Zyrës ndërlidhëse ose postës.