Haradinaj: PZAP shkeli në mënyrë flagrante vendimin e Gjykatës Kushtetuese

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj përmes një postimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka thënë se është i shqetësuar, siç e ka quajtur ai, me shpërfilljen e skajshme që PZAP i ka bërë fakteve në rastin e Shemsedin Dreshajt.

Sipas Haradinajt, vërejtja gjyqësore që Dreshaj ka marrë para 3 viteve është konsumuar më 16 janar 2021, ndërsa afati i dorëzimit të listave është mbyllur më 18 janar, ndërsa KQZ mori vendim që afati 3-vjeçar të përcaktohet me datë të certifikimit.

“Megjithë konsumimit tre vjeçar të përcaktuar me Vendimin e Gjykatës Kushtetuese, dhe Vendimit të KQZ-së për lidhjen e afatit me certifikim, PZAP ka shkelur në mënyrë flagrante Vendimin e Kushtetueses, Vendimin e KQZ-së dhe të drejtën themelore për kandidim”, ka shkruar ai.

Haradinaj ka paralajmëraur se AAK do t’i drejtohet Gjykatës Supreme për rastin e Dreshajt dhe shpreson se ky vendim i PZAP-së, i padrejtë sipas tij, do të hidhet poshtë.

“Tendencat për qasje selektive edhe kur respektohen institucionet siç ndodhi sot me zëvendësimin e tre kandidatëve që bëri Aleanca, shpërfaq një orkestrim për dëmtim të demokracisë dhe sundimit të ligjit”, ka shkruar në fund Haradinaj.

Sot, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) e ka aprovuar pjesërisht ankesën e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për moscertifikim nga Komisioni Qendror Zgjedhor.

Sipas vendimit te kjo parti është certifikuar lista, por pa emrat e Shemsedin Dreshajt, Gani Dreshajt, Rrahim Ajetit dhe Shqipe Kastratit.

“Pranohen pjesërisht rekomandimi i ZRPPC-së, certifikohet subjekti politik Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, lista e kandidatëve për deputetë të subjektit politik, me përjashtim të kandidatëve të lartcekur si në pikën –I-, të dispozitivit të këtij vendimi”, thuhet në vendim.

PZAP lë jashtë listës 4 kandidatë të partisë së Ramush Haradinajt