Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Haradinaj për liberalizimin e tregut të energjisë: AAK e kundërshton rritjen e çmimit të energjisë elektrike

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në një konferencë për media, ka folur për mundesinë e shtrenjtimit të energjisë elektrike, pas liberalizimit të tregut të energjisë.

“Me liberalizimin e tregut është mundësuar ndryshimi i çmimit. Kjo rritje prej 30-40 për qind i godet konsumatorët, veçanërisht kompanitë prodhuese dhe në një të ardhme të afërt edhe familjet tona”, tha ai.

Haradinaj ka dhënë disa rekomandime se si duhet vepruar tutje për këtë çështje.

“Të ndryshohen marrëdhëniet mes KEK dhe KESKO dhe të mos i lejohen privilegje vetëm një kompanie. Të rishpallet thirrja për licencim të kompanive të tjera, qe klienti të zgjedh vetë operatorin. Hapja e tregut për energji të ripertritshme. Qeveria të veprojë menjëherë për këtë temë. Qeveria duhet të pezullojë këtë deri në kohën kur vërtetë të bëhet liberalizimi i tregut. Qeveria duhet t’i bëjë dy veprime: Të nominohen anëtarët tjerë të ZRRE-së që të votohen në Kuvend dhe t’i kërkohet ZRRE-së të ndalojë ngritjen e çmimit të energjisë elektrike”, tha ai.

Haradinaj shtoi se AAK e kundërshton rritjen e çmimit të energjisë elektrike në këtë mënyrë.