Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Haradinaj: E kemi humbur besimin, kanë filluar ndëshkimet

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha se Kosova e ka humb besimin e aleatëve ndërkombëtarë pas ngjarjeve që kanë ndodhur muajin e fundit në veri të vendit.

“E kemi humb besimin, kanë fillu ndëshkimet dhe jemi dobësu përballë të gjithëve. Nuk ka palë kundërshtare e jona që nuk e shfrytëzon këtë” – tha Haradinaj në Kuvend.

Sipas tij, në këtë situatë do të duhej të mbahej një takim mes udhëheqësve institucionalë dhe atyre politikë, qoftë takim me dyer të mbyllura.

Ai tutje tha se kësaj situate, Kuvendi i Kosovës nuk mund t’i ik.

Madje, ai tha se parlamentit i ka humb vlera.

“Nuk mundemi me ik. Nuk po e kuptojë më këtë parlament, i ka humb vlera, ne jemi komik nëse vijmë e sillem sikur nuk ka ndodh kurrgjë” – deklaroi Haradinaj.

Tutje kreu i partisë opozitare kërkoi të bisedoi me cilin do deputet dhe pjesëtar të kabinetit qeveritar i cili mendon që Kosova nuk e ka humb besimin e aleatëve.

“Nëse është dikush që mendon që nuk e kemi humb besimin kisha pas qejf me bisedu me të. Po e kem humb, mujm me bisedu për pasoja” – u shpreh ai.

Faktori ndërkombëtar ka bërë thirrje për shtensionim të situatës në veri të Kosovës, pasi tash e më shumë se tri javë, serbë lokalë po protestojnë në afërsi të komunave në Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

Përfaqësuesit ndërkombëtarë kanë kërkuar edhe mbajtjen urgjente të zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore, sigurimin e pjesëmarrjes së serbëve në këto zgjedhje dhe fillimin e punës për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kosova është përjashtuar nga ushtrimi “Defender Europe ’23” si masë sanksionuese pas zhvillimeve të fundit në veri të vendit.

Por, kryeministri Albin Kurti, në secilën paraqitje publike kishte përsëritur qëndrimin se, policia po siguron hyrjen në objekte të kryetarëve dhe, sipas tij, ata që duhet të largohen janë grupet kriminale.