Hapet fondacion për mbrojtjen e Kadri Veselit në Gjykatën Speciale

Është hapur fondacion për mbrojtjen e Kadri Veselit pas akuzave nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale.

“Ju njoftojmë se për mbështetjen ligjore të ish-Kryetarit Veseli është themeluar Fondacioni “Përkrahje për Mbrojtjen e Kadri Veselit”. Ky Fondacion është themeluar me qëllim që të mbledhë fonde të ligjshme për ta mbështetur punën e mbrojtësve të specializuar të ekipit ligjor që ofron mbrojtën juridike për ish-Kryetarin Veseli”, thuhet në njoftimin për hapjen e fondacionit.

Gjithashtu në njoftim thuhet se fondacioni është themeluar mbi bazën e kuadrit ligjor në fuqi në Republikën e Kosovës dhe ka për qëllim grumbullimin e mjeteve financiare në mënyrë të mirë-organizuar dhe transparente nga ana e personave fizikë dhe juridikë – të cilët shprehin vullnetin dhe solidaritetin e tyre për të ndihmuar financiarisht, përmes donacioneve, mbrojtjen juridike të Kadri Veselit.

Fondacioni është themeluar me iniciativën e z. Hysni Veseli, familjar i afërt i ish-Kryetarit Veseli.

“Fondacioni do të shërbejë si një adresë e vetme për qëllimet e lartcekura dhe do të integrojë çdo ndihmë financiare e materiale për qëllimet e mbrojtjes së ish-Kryetarit Veseli në mënyrë legale, transparente dhe profesionale”, thuhet më tej në njoftim.

Fondacion është hapur edhe për mbledhjen e fondeve për mbrojtjen e Hashim Thaçit.

Kujtojmë se edhe për mbrojtje të të akuzuarve potencialë në Gjykatën Speciale janë ndarë 20 milionë euro nga Ministria e Drejtësisë.

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, ka thënë se kanë ndarë shtatë milionë për mbrojtje të të akuzuarve potencialë në Gjykatën Speciale dhe 13 milionë rezervë.

“Nga këto 20 milionë do të ndahen fonde për mbrojtjen e tyre, do të ndahen fonde për përkrahjen e  familjeve të tyre që parashihet me një udhëzim tjetër ku parashihen udhëtimet e tyre, vizitat etj. Dhe i fundit për ata që shpallen të pafajshëm kompensimi i shpalljes së tyre të pafajshëm”, tha Selimi.

Ministri Selimi tha se momentalisht e kanë infrastrukturën e  mirë ligjore që të ketë llogaridhënie, kontroll dhe balancë në dhënien e këtyre parave.

“E kemi stafin i cili është duke kaluar nëpër verifikim sepse do të punojmë me çështje konfindenciale. Posa të arrihet ky verifikim që e kam bërë kërkesën unë mendoj që atëherë do të jemi operacional që t’i shqyrtojmë kërkesat e mbrojtjes atje. E kemi bërë legjislacionin, e kemi futur tërë stafin që të merret me verifikim të prapavijës së tyre dhe do të fillojmë punën” tha Selimi.