Si do të shpenzohen 20 milionë euro për mbrojtje në Gjykatën Speciale

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, ka thënë se kanë ndarë shtatë milionë për mbrojtje të të akuzuarve potencialë në Gjykatën Speciale dhe 13 milionë rezervë.

Selimi përballë Kreshnik Gashit tha se ai ka nënshkruar tri udhëzime administrative për ndihmë për akuzuarit potencialë në Speciale.

“Nga këto 20 milionë do të ndahen fonde për mbrojtjen e tyre, do të ndahen fonde për përkrahjen e  familjeve të tyre që parashihet me një udhëzim tjetër ku parashihen udhëtimet e tyre, vizitat etj. Dhe i fundit për ata që shpallen të pafajshëm kompensimi i shpalljes së tyre të pafajshëm”, tha Selimi.

Ministri Selimi tha se momentalisht e kanë infrastrukturën e  mirë ligjore që të ketë llogaridhënie, kontroll dhe balancë në dhënien e këtyre parave.

“E kemi stafin i cili është duke kaluar nëpër verifikim sepse do të punojmë me çështje konfindenciale. Posa të arrihet ky verifikim që e kam bërë kërkesën unë mendoj që atëherë do të jemi operacional që t’i shqyrtojmë kërkesat e mbrojtjes atje. E kemi bërë legjislacionin, e kemi futur tërë stafin që të merret me verifikim të prapavijës së tyre dhe do të fillojmë punën” tha Selimi.

 

Sipas tij, me dijeninë  e tij më herët ka qenë një vendimmarrje kolektive në Qeveri që të ndahen këto fonde të ndihmës.

Ai tha se  mendon që ka ndodhur për shkak se ftesaat që janë bërë atëherë kanë qenë ftesa të paqarta.

“Nuk është ditur. Edhe pse ligji na ka obliguar t’i mbrojmë të akuzuarit potencialë por nuk e kemi ditur se si janë thirrur si dëshmitarë apo si të akuzuar, apo si viktimë”, tha Selimi.

Ndërsa për avokatët ai tha se kanë vendosur tre parametra.

Sipas tij, palët që zgjedhin avokatë çmimet e punëve-orëve të tyre do të maten me tre parametra.

“Parametri i tarifës së Odës së Avokatëve të Kosovës, tarifa e Odës së Avokatëve të Holandës dhe tarifës nga shteti prej të cilit vjen avokati”, tha Selimi.

Dhomat e Specializuara të Kosovës para gati një muaji kishin publikuar kërkesën për arrest dhe pretendimet për arrestimin e ish- Presidentit Hashim Thaçi, deputetin e LVV-së, Rexhep Selimin, ish-kryetarin e PDK-së, Kadri Veselin dhe ish- zëdhënësin e UÇK-së, Jakup Krasniqin.

Në këtë kërkesë përshkruhen pretendimet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Në këtë kërkesë për arrest, saktësisht pikat 10 dhe 11 tregojnë se janë kryer pagesa si mbështetje financiare për personat e akuzuar potencial të Gjykatës Speciale e të cilat pagesa pretendohet se janë kryer pa kritere.

Aktakuza e publikuar në mbrëmjen e gjashtë nëntorit akuzoi Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin se kishin kryer krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit gjatë viteve 1998 dhe 1999.

Katër ish krerët e UÇK-së, akuzohen se gjatë kësaj periudhe kishin ndaluar persona civil në mënyrë të paligjshme duke i trajtuar në mënyrë mizore, torturuar dhe zhdukur.

Në mesin e shumë akuzave bëjnë pjesë edhe ato të vrasjeve të paligjshme.

Pjesë e aktakuzës 68 faqëshe të Prokurorisë janë pretendimet për vrasje të paligjshme nga pjesëtarët e UÇK -së.

Këto vrasje theksohet se janë kryer në territore të ndryshme të Kosovës dhe Shqipërisë. Sipas prokurorisë ato janë kryer në Likoc, Jabllanicë, Llapushnik, Drenoc, Malishevë, Bajgorë, Majac, Zllash, Kleçkë, Kukës dhe Rahovec.