Ilustrim - Policia në aksion

Grupi 'Radari' në Viber me mbi 15 mijë anëtarë, tregohet edhe vendndodhja e policisë në orë policore

15 mijë e 124 anëtarë janë të kyçur në një grup në aplikacionin Viber me emrin “Radari”.

Në këtë grup anëtarët tregojnë vendndodhjen e njësive policore edhe pas orës 22:30.

Kjo u mundëson qytetarëve që edhe nëse kanë dalë pa arsye pas orës 22:30 e cila është kufizuar për shkak të përhapjes së pandemisë COVID-19, t’i ikin ndalesave që mund të kenë nga ana e policisë nëpër pika kontrolli.

Anëtarët e grupit “Radari” tregojnë me saktësi lokacionet ku policia stacionohen për kontrolla rutinore e sidomos tani në kohë pandemia, ku kontrollat e policisë janë shpeshtuar pas kufizimit të lëvizjes.

KALLXO.com ka raportuar disa herë për këtë grup.

Në korrik të vitit të kaluar, Policia e Kosovës kishte arrestuar dy persona të cilët dyshoheshin se ishin themelues të një grupi të tillë i cili funksiononte në Viber, e i cili sfidonte policinë me zbulim të lokacioneve ku ishin ndalur për të gjobitur shoferët e padisiplinuar në trafik.