Gruaja e plagosur në Prishtinë është në gjendje të rëndë

Një grua që u plagos sonte, më 26.03.2024, në Prishtinë, është në gjendje të rëndë shëndetësore.

Ajo po trajtohet në Klinikën Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Drejtori i Klinikës Emergjente, Naser Syla, tha për KALLXO.com se ekipet e Kirurgjisë Vaskulare dhe të Anesteziologjisë janë duke e trajtuar atë në sallë të operacionit.

Në këtë rast, një person tjetër ka mbetur i vdekur si pasojë e të shtënave me armë zjarri.

Ngjarja, sipas Policisë, ka ndodhur në rrugën “Jeronim de Rada” në Prishtinë rreth orës 21:15.

“Me të marrë informatën, policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para është bërë e ditur se për pasojë dy persona kanë marrë plagë nga arma e zjarrit, ku fatkeqësisht njëri nga ta ka ndërruar jetë” – ka thënë zëdhënësi i Policisë Agron Borovci për KALLXO.com.