Greqia e përkushtuar "që ta ndihmojë Kosovën në rrugëtimin euro-atlantik"

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, në takimin me ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias, kanë diskutuar për zhvillimet politike në vend, thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, kryesisht në fushën ekonomike, si dhe procesin e dialogut final ndërmjet Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, i cili sipas Hotit duhet të përfundojë me njohje reciproke.

Gjatë këtij takimi ministri Dendias, duke e falënderuar kryeministrin Hoti për pritjen, theksoi se Greqia mbetet e përkushtuar që ta ndihmojë Kosovën në rrugëtimin e saj euro-atlantik, si dhe në begatimin e mëtejmë të bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve.

Ndërsa, kryeministri Hoti tha se roli mbështetës i Greqisë për Kosovën është shumë i rëndësishëm.

“Roli mbështetës i Greqisë për Kosovën është tepër i rëndësishëm, ngaqë është vend anëtar i BE-së dhe NATO-s, organizata këto që Kosova aspiron të jetë pjesë e tyre”, tha kryeministri Hoti.

Sipas komunikatës së lëshuar nga zyra e kryeministrit, Hoti dhe ministri Dendias u zotuan në thellimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Greqisë, me theks të veçantë në fushën e energjisë.