Seanca gjyqësore ndaj ish-ministres Dhurata Hoxha (11.11.2022), Foto: KALLXO.com

Gjyqtari në trajnim, anulohet seanca ndaj ish-ministres Hoxha dhe të akuzuarve të tjerë

Seanca e paraparë të mbahet sot ndaj ish-ministres së Integrimeve Evropiane Dhurata Hoxha, si dhe ish-zyrtarëve tjerë Demush Shasha, Kushtrim Cukaj, Fitim Musafa dhe Nuhi Osmani është anuluar.

Anulimi i seancës erdhi pasi që kryetari i trupit gjykues gjendet në një trajnim në Prevallë.

Lajmin për KALLXO.com e konfirmoi zyra e gjyqtarit të rastit.

Seanca e radhës pritet të mbahet më 7 prill të këtij viti.

Ish-ministrja Integrimeve, Dhurata Hoxha, ish-drejtori i prokurimit publik, Fitim Musafa dhe tre ish-sekretarët e kësaj ministrie, Demush Shasha, Kushtrim Cukaj dhe Nuhi Osmani po përballen me akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare për rastin e kontratave lobuese.

Dhurata Hoxha bashkë me drejtorin e prokurimit, Fitim Mustafa, dhe tre ish-sekretarët e Ministrisë së Integrimeve Evropiane, Demush Shasha, Kushtrim Cukaj dhe Nuhi Osmani, po akuzohen nga Prokuroria Speciale e Kosovës se kishin keqpërdorur pozitën dhe detyrat e tyre me rastin e inicimit dhe nënshkrimit të kontratës për lobim me kompaninë franceze.

Aktakuza ndaj tyre u ngrit pasi KALLXO.com kishte publikuar hulumtimin se si paratë e taksapaguesve ishin përdorur për të lobuar për ndryshim të kufijve.

Hulumtimi kishte zbardhur se në vitin 2019 Ministria e Integrimeve Evropiane e Kosovës i pagoi 168,000.00 euro një kompanie me seli në Paris që kishte promovuar idenë se “modifikimi i territorit” mund të jetë një zgjidhje në dialogun Kosovë – Serbi.

Asokohe, kjo ministri drejtohej nga Dhurata Hoxha e PDK-së.

Sipas aktakuzës së ngritur më 7 korrik 2021, nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Dhurata Hoxha, Kushtrim Cukaj dhe Fitim Mustafa po i akuzon se i kanë tejkaluar kompetencat e tyre duke nënshkruar kontrata me vlerë disa mijëra euro dhe duke i mundësuar operatorëve të ndryshëm ekonomik përfitimin e dobisë pasurore.
Më 1 shtator 2021 ish-ministrja dhe zyrtarët e tjerë u deklaruan të pafajshëm për aktakuzën e Prokurorisë Speciale.